Mediat në Gana thonë se ky vend së shpejti do të mbyllë misionin në Beograd, pasi ky i fundit ka dëbuar ambasadorin e Ganës për shkak të njohjes së Kosovës.
Shefi i diplomacisë së Ganës, Alhaji Mohamed Mumuni, i ka thënë parlamentit se “marrëdhëniet e përzemërta” deri më tash ndërmjet dy vendeve, kanë pësuar dëme serioze pas njohjes së shtetësisë së Kosovës.
Portali “GanaËeb” shkruan se “autoritetet e zemëruara serbe” kanë bërë përpjekje që përmes ambasadorit në Beograd, Semjuel Valis Akjan, të bëjnë presion tek Akra zyrtare për të tërhequr njohjen.
Ministri Mumuni ka thënë se Ganës “nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të urdhërojë mbylljen e misionit të saj diplomatik në Beograd”.
Ambasada e Ganës në Beograd ka konfirmuar për mediat serbe se ambasadori i saj ka udhëtuar drejt Ganës, por jo edhe informacionet për mbylljen e përfaqësisë diplomatike.
Gana ka njohur pavarësinë e Kosovës në janar të këtij viti. / Kosova.com (Shekulli Online)
Si të mos mjaftonte motori 3.8 litër V6 me 530 kuaj/fuqi, dizajni joshës dhe performance e denjë për një makinë garash, versioni i ri VIP i Nissan GT-R është i çmuar në kuptimin e plotë të fjalës.
E prezantuar në sallonin “Big Boys Toys” në Dubai, makina i ka mahnitur të gjithë me detajet në pjesën e pasme dhe anësore prej ari 24 karat.
Ky “xhevahir” i destinuar për tregun e Lindjes së Mesme, pjesën e brendshme e ka të veshur me lëkurë të punuar me dorë. Ajo është e disponueshme në 12 variante për një çmim prej 226 mijë dollarë. / G. Ndoja
(Shekulli Online)
Një 45-vjeçar është arrestuar sot në Durrës për trafikim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Burime për “Shekullin” bëjnë të ditur se Edmond Kondakçiu është kapur me 900 gramë kokainë, dy granata difensive dhe një sasi fishekësh.
Në momentin e prangosjes, policia ka sekuestruar sasinë e lëndës narkotike dhe dy granatat.
Ndërkohë, policia po heton në lidhje me bashkëpunëtorë të tjerë të të arrestuarit. / Mark Brunga (Shekulli Online)
Dy të tretat e francezëve mendojnë se Francois Hollande është më i besueshëm se Nicolas Sarkozi përsa u përket çështjeve të ekonomisë dhe papunësisë. Rezultatet e sondazhit të kryer nga BVA janë publikuar sot në faqen online të Nouvel Observateur.
Sipas studimit të kryer, propozimet e kandidatit socialist janë më të besueshme për më shumë se gjysmën e francezëve (54%) kundrejt 34% për Sarkozi.
Pjesa më e madhe e të intervistuarve beson se Hollande do të luftojë kundër papunësisë (57% kudrejt 30% për Sarkozi). / G. Ndoja (Shekulli Online)
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të selisë së partisë në pushtet të kryeministrit Rexhep Taip Erdogan në Stamboll.
Sipas CNN turk, nga shpërthimi kanë mbetur të plagosur 5 policë dhe 5 kalimtarë. Dëshmitarët në vendngjarje e kanë krahasuar forcën e shpërthimit me atë të një tërmeti.
Sipas shefit të policisë në Stamboll, bomba e telekomanduar ishte vendosur në një motoçikletë. / G. N. (Shekulli Online)
Shefi i diplmocisë suedeze, Karl Bilt, ka deklaruar se Serbia deri në fund të vitit, “jo vetëm që do të marrë datën e fillimit të negociatave për asociim, por edhe do të fillojë bisedimet me BE-në”.
Në një intervistë për gazetën “Politika” të Beogradit, Bilt vlerëson se ka rëndësi që është arritur përparim në dialogun e Beogradit dhe Prishtinës, duke theksuar se Kosova nuk është kusht i të gjitha kushteve për Serbinë.
Sipas ministrit suedez, si do që të definohet Kosova, “në interesin e Serbisë është që të ekzistojë stabiliteti nga dhe rreth Kosovës”.
I pyetur nëse mendon që BE-ja me të vërtetë do të shqyrtojnë ndonjë zgjiidhje të re siç është ndarja e Kosovës ose një autonomi më e madhe për veriun e Kosovës, Bilt ka thënë se “ndarja e Kosovës nuk merret parasysh”, por ka shtuar se njerëzve në veri u duhen siguruar kushte normale.
“Tani kemi çështjen sesi njerëzit në veri të Kosovës të jetojnë normalisht, dhe kjo gjithashtu është në interesin e Serbisë. Fakti se shteti i Serbisë dërgon atje para, është në rregull, por shtrohet pyetja e transparencës së këtyre transaksioneve”, ka thënë Bilt. / Kosova.com (Shekulli Online)
Kushtetuese shqyrtoi dje konfliktin ndërmjet institucionit të Presidentit dhe Kuvendit lidhur me procedurën e emërimit të gjyqtarëve për në Gjykatën Kushtetuese. Thelbi i përplasjes mes dy institucioneve është fakti që Presidenti Bamir Topi dërgon në Kuvend emrat e juristëve që mendon se duhet të zgjidhen në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Kuvendi nuk i miraton ato duke bërë që anëtarët ekzistues, edhe pse i ka mbaruar mandati, të qëndrojnë në detyrë. Nga ana tjetër Kuvendi po mban dekrete pezull duke mos u shprehur as me pranim, dhe as me rrëzimin e tyre. Për sa kohë që dekretet qëndrojnë pezull, Presidenti Topi nuk ka mundësi të propozojë emra të rinj.
Për institucionin e Presidencës, Kuvendi në shkelje të hapur me ligjin ka bllokuar kompetencat e Presidentit duke kthyer mbrapsht dy dekrete të tij dhe duke zgjatur kështu në mënyrë të jashtëligjshme mandatin e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. I menjëhershëm ishte reagimi i Kuvendit, përfaqësuesit e të cilit u shfajësuan duke deklaruar se parlamenti ka zbatuar Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rotacionin e gjyqtarëve. Për mazhorancën, një e treta e anëtarëve të Kushtetueses duhet të rinovohen një herë në tre vjet, dhe dy dekretet u kreut të shtetit u kthyen mbrapsht, pasi kishin ardhur në parlament jashtë afateve. Sipas përfaqësuesve ligjorë të parlamentit, gjyqtarët aktualë duhet të qëndrojnë në detyrë deri në 2013 kur bëhen tre vjet nga rotacioni i fundit i realizuar në 2010. Në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese pritet të japë vendimin e saj për të zgjidhur përfundimisht konfliktit e kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe Presidentit për emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilëve u ka mbaruar mandati.
Kuvendi: S’kemi konflikt me Topin, dekretet erdhën me vonesë
Përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit kërkuan në seancën e djeshme gjyqësore rrëzimin e kërkesës së Presidentit për zgjidhjen e kompetencave për emërimin e gjyqtarëve si të pabazuar. Sipas përfaqësuesve të Kuvendit, pas dekretimit të emrave për në Gjykatë, Presidenti nuk ka më asnjë kompetencë dhe se gjithçka i takon Kuvendit.
Drejtori Juridik i Kuvendit, Lulzim Lelcaj shpjegoi dje se Presidenti i Republikës, me kompetencën e tij për të emëruar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, do të duhej ta kishte zbatuar dispozitën e rotacionit të anëtareve të me një të tretën. Një tjetër pretendim i shprehur në sallën e gjyqit nga ana e Kuvendit, ishte mos legjitimimi i Presidentit Topi për të iniciuar këtë proces kushtetues pasi sipas tyre, nuk ekziston një mosmarrëveshje kompetencash, për sa kohë që presidenti nuk është subjekt ne konflikt apo subjekt i cenuar drejtpërdrejt nga një mosmarrëveshje e mundshme.
“I paargumentuar është edhe pretendimi vijues i kërkuesit se Kuvendi i Shqipërisë ka marrë përsipër të vlerësojë në mënyrë të ndryshme kompetencat e Presidentit të Republikës dhe kompetencat e vetë Gjykatës Kushtetuese. Sjellim në vëmendje të Gjykatës se Kuvendi është i pavarur në vendimmarrjen e tij. Edhe Gjykata Kushtetuese është e pavarur në vendimmarrjen e saj. Në këto kushte, të pretendosh se Kuvendi i ka marrë kompetencat Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese, do të thotë se duhet të provosh se Kuvendi ka zëvendësuar GJK dhe ka deklaruar mbarimin e mandatit të anëtarëve të saj”,- tha Lulzim Lelcaj, Drejtor Juridik i Kuvendit.
Duke mbrojtur qëndrimin e parlamentit për të bllokuar rotacionin lidhur me dekretet e presidentit Bamir Topi për në Gjykatën Kushtetuese, Lelcaj, u shpreh se një e treta e anëtarëve të gjykatës më të lartë në vend, rinovohet njëherë në tre vjet, dhe dy dekretet u kreut të shtetit u kthyen mbrapsht, pasi kishin ardhur në parlament jashtë afateve. Kushtetuta nuk e lejon që mekanizmi, dekret president-pëlqim Kuvendi, të vihet në lëvizje më parë sesa të kenë kaluar tre vjet nga ripërtëritja e fundit. Ky mekanizëm, sipas Lelcaj, mund të zbatohet vetëm për tre mandate në një raund ripërtëritës.
“Në situatën jonormale të krijuar, Kuvendi kishte ripërtëritur dy mandate (deri në qershor 2010) dhe me daljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kishte edhe katër dekrete në pritje. Në këto kushte, Kuvendi mund të operonte vetëm me njërin dekret, i treti mandat që plotësonte 1/3 e domosdoshme, sipas përcaktimit kushtetues. Ndërkohë për tre dekretet e mbetura pezull, Kuvendi e kishte të pamundur që të vijonte procedurën, sepse rotacionin me 1/3 tashmë e realizoi me dhënien e pëlqimit për tre gjyqtarët”,- theksoi në fjalën e tij përfaqësuesi i Kuvendit.
Presidenca: Kuvendi na ka bllokuar punën me dekretet pezull
Përfaqësuesit e Presidencës e cilësuan antikushtetues ndërhyrjen e Kuvendit duke bllokuar rotacionin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Këshilltari juridik i presidentit, Artur Metani, deklaroi se ndërprerja e menjëhershme e procedurave të shqyrtimit nga Kuvendi të tre dekreteve të Presidentit, është një mekanizëm antikushtetues, i cili ka bllokuar procedurat kushtetuese për emërimin dhe për plotësimin e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese.
“Rëndësi ka që të ketë një vendim të Gjykatës që të urdhërohet Kuvendi që dekretet ti nënshtrohen votimit. Logjika ligjore më detyron t’ju them se kjo vendimmarrje duhet të ngarkojë Kuvendin që ti votojë ato dekrete të Presidentit në seancë plenare, pasi deri më tani Kuvendi s’ka marrë asnjë vendim duke sjellë që dekretet e Presidentit të rrinë në vend. Dhe shtyrja e afatit të mandateve të tre anëtarëve në detyrë është bërë me një vendim të brendshëm të Kuvendit jashtë çdo kriteri Kushtetues”,- theksoi Këshilltari Metani. Për institucionin e Presidentit, çështja në shqyrtim është një çështje themelore e ndarjes së pushteteve, e shtetit të së drejtës dhe garancive kushtetuese të ofruara për ushtrimin e kompetencave që institucionet kanë.
“Zbatimi i detyrimeve kushtetuese duhet të jetë i harmonizuar gjithmonë me parimet themelore të ndërtimit dhe funksionimit të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë. Vetëm një harmonizim i tillë bën të mundur rregullimin e çështjeve që shtrohen për zgjidhje përpara institucioneve publike”, tha Metani. Sipas përfaqësuesve të presidentit, nëse do të pritej që procedura e votimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të kryhen vetëm në prill 2013, atëherë do të gjendeshim para zgjatjes së mandateve 9 vjeçare, për 3 anëtarë, në 12 vjet. Në vlerësimin e presidentit, thuhet se mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të zgjaten apo kufizohen me vendim të Kuvendit, sikurse është disponuar konkretisht në vendimin e Kuvendit, i cili shprehet se çështja e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit të Republikës do të kryhen në prill 2013, duke zgjatur praktikisht mandatin e anëtarëve të cilëve u është deklaruar mbarimi me vendim të Gjykatës Kushtetuese në prill dhe maj 2010.
Ata që ikin dhe kush propozohen
_U ka mbaruar mandati_
1. Admir Thanza
2. Petrit Plloçi
3. Xhezair Zaganjori
_Propozohen nga Presidenti_
1. Ardian Leka
2. Artan Hoxha
3. Edlira Jorgaqi
Pyetjet e gjyqtarëve për avokatin e Presidentit
_Pse kemi këtë situatë sot, ku për 3 anëtarët është shtyrë mandati me vendim të Kuvendit me 3 vjet?_
Kuvendi duhej t’i kalonte për votim dekretet, pavarësisht pëlqimit apo jo të tyre, por ai duhej të zbatonte procedurat, ose ti miratonte ose ti rrëzonte ato me votim në Kuvend. Por ky I fundit refuzoi ti kalonte për shqyrtim edhe në komisionet përkatëse parlamentare. Pra ajo që kërkohet sot nga Presidenti I Republikës është që Gjykata Kushtetuese të zgjidhë konfliktin e kompetencave mes dy institucioneve.
_Ju pretendoni që Kuvendi ka marrë një vendim antikushtetues, si mendoni ju se si zgjidhet kjo çështje?_
Rëndësi ka që të ketë një vendim të GJK-së të vendoset që të urdhërohet Kuvendi që dekretet ti nënshtrohen votimit. por logjika ligjore më detyron t’ju them se kjo vendimmarrje të ngarkojë Kuvendin që ti votojë ato dekrete të Presidentit në seancë plenare, pasi deri më tani Kuvendi s’ka marrë asnjë vendim duke sjellë që dekretet e Presidentit të rrinë në vend. Dhe shtyrja e afatit të mandateve të 3 anëtarëve në detyrë është bërë me një vendim të brendshëm të Kuvendit jashtë çdo kriteri Kushtetues.
_Ju mendoni se kjo duhet parë kaq strikt si çështje ?_
Rëndësi ka që të ketë një vendim të Kuvendit me votë, i cili zhbllokon dhe situatën.
_A ka pasur ndonjë përpjekje mes institucioneve për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje?_
Dy institucionet bashkëpunojnë mes tyre pasi një dekret I Presidentit I kalon Kuvendit për miratim. Por mendoj se nuk është e domosdoshme që Presidenti të konsultohet me Kuvendin për emrat që ai mendon t’i dekretojë, pasi kjo është në kompetencat e tij për sa i përket vendimmarrjes së pavarur të institucionit. Unë mendoj se GJK duhet të ndërhyjë pasi ky vendim ka të bëjë me ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë institucionale. Vendimi i Kuvendit duke sjellë dhe shkeljen e afateve të zëvendësimit të anëtarëve të GJK-së, jashtë çdo kompetence duke cenuar kështu integritetin e kompetencave të Presidentit të Republikës.
Pyetjet e gjyqtarëve për avokatin e Kuvendit
Duket se kjo çarje institucionale ka të bëjë me 3 vendime të Kuvendit të marra gjatë vitit 2010. ka një interpretim në nenin 125 të Kushtetutës dhe për të gjitha këto cili është interpretimi juaj për këto çështje. Pasi kemi një shtyrje me 3 vjet të mandateve të anëtarëve të GJK-së?
Kuvendi ka vendosur shtyrjen e mandateve dhe ky vendim është I pandryshueshëm përsa kohë kjo situatë nuk zgjidhet nga GJK-ja…
_Çdo të thotë kjo?_
Komisioni i Ligjeve e ka përcaktuar qartë që me këtë shtyrje nuk ka vakanca ligjore në GJK, ku me vendimin e tij ka krijuar hapësirën e duhur të funksionimit të këtij institucioni. Ndërsa sa I përket bashkëpunimit institucional, ai ka funksionuar me anë të disa letrave në nivele të sekretarëve të Përgjithshëm të të dy institucioneve. Ku sekretari i Presidentit i drejton letra sekretarit të Kuvendit.
Çdo të thotë kjo? Që të jemi më të qartë në atë që po diskutohet këtu, Kuvendi nuk mund të shtyjë mandatet pafundësisht me vendimet tuaja, jashtë çdo tagri. Ju pretendoni që mund ti shtyni mandatet sipas qejfit.
_…Ndërhyn avokati i Kuvendit gjatë pyetjes_
Prit se nuk kam mbaruar akoma. Jini më i durueshëm, ashtu siç jemi treguar ne me ju, duke i shtyrë seancat sa herë donit. Prandaj me i qetë dhe bëni durim.
_Ju thoni në vendimin tuaj që nuk ka vende vakante deri në 2013-ën. Si mendoni duhet të bëhet zëvendësimi i anëtarëve për të cilët Presidenti thotë që u ka mbaruar mandati?_
Kuvendi ka vepruar me atë vendim për të zgjidhur vakancën institucionale të momentit por ky vendim nuk ka karakter ligjor, por ai është i natyrës së posaçme dhe akti është i pacenueshëm në brendinë e tij, sa i përket funksionimit të GJK-së.
(Shekulli Online)
Në momentin që Shqipëria ka humbur për herë të tretë mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nisjen e procedurave për heqjen e të gjithë bunkerëve nga Shqipëria të ndërtuara gjatë viteve 1975-1985. “Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha kërkoi që të fillojë sa më parë procesi i ç’bunkerizmit të vendit. Ky proces, nëpërmjet përcaktimit të qartë të bazës ligjore do tu ngarkohet autoriteteve vendore, në mënyrë që ata vetë të përshtatin praktikat që atyre ju duken më të mundshmet, për realizimin e këtij procesi, sipas rrethanave të vendit”,- thanë burimet zyrtare të Këshillit të Ministrave pas mbledhjes së djeshme të qeverisë. Sipas tyre, kostot për heqjen e bunkerëve i hiqen qeverisë dhe më konkretisht Ministrisë së Mbrojtjes, dhe i kalojnë pushtetit vendor, pra bashkive dhe komunave në territorin e së cilave ndodhen bunkerët. Ministria e Mbrojtjes ka hequr dorë nga bunkerët që në vitin 2006, por tashmë qeveria kërkon që faturën e heqjes përfundimtare të tyre ta marrin vendorët.
Historia e bunkerëve “made in Albania”
Në fillim të vitit 1971 u zhvillua në Tiranë Plenumi i 12 i Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili shqyrtoi tezat e Artit Ushtarak dhe projektet për Fortifikimin e vijave të mbrojtjes. Arti Ushtarak Popullor parashikonte që e gjithë Shqipëria të stërvitej dhe armatosej për t’i bërë ballë armikut. Ideja e fortifikimit të vendit mbështetej fortë nga kryeministri Mehmet Shehu, i cili u vendos vetë në vijën e parë së bashku me një grup specialistësh të talentuar siç ishin Mero Backa, Alfred Moisiu (Presidenti), Josiv Zegali etj.
Modeli shqiptar i bunkerëve u realizua pasi u konsultuan të gjitha sistemet e mëparshme që nga vija Marzhino deri tek lufta në Vietnam. Sipas literaturës së kohës, bunkerët shqiptarë ishin të aftë të përballonin të gjitha armët e kohës, por edhe armët kimike dhe bërthamore me fuqi deri në 20 kiloton. Prodhimi i bunkerëve nisi menjëherë dhe prova e parë e tyre u krye në vitin 1995 në Grykën e Këlcyrës. Prova e dytë u krye në Peldhja të Sarandës në vitin 1976.
Brenda bunkerëve u vendosën kafshë të gjalla dhe më pas nisi bombardimi i zonës me armët më të rënda që kishte ushtria shqiptare. Në Sarandë u hodhën mbi 1000 predha artilerie dhe më pas aviacioni hodhi mbi 100 bomba 50kg, 250kg deri në 500kg. Bunkerët i rezistuan bombardimeve dhe kafshët brenda mbijetuan. Përpara se çështja të dërgohej për miratim në Këshillin e Lartë të Mbrojtjes, u bënë edhe eksperimente të tjera dhe të gjitha dolën me sukses. Më pas Byroja Politike vendosi atë që njihet si bunkerizimi i Shqipërisë.
Fortifikimi masiv që nisi në vitin 1975 vazhdoi deri në vitin 1985, kur vdiq Enver Hoxha. Dhjetëra specialistë xhenierë shqiptarë u nisën në Europë, kryesisht në Suedi, Francë dhe Itali, ku arritën të lidhin kontrata për blerjen e makinerive të prodhimit të çelikut dhe të betonit special. Në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore u krijua edhe posti i zv.ministrit për fortifikimet. Sistemi i bunkerëve është bërë në mënyrë rrethore në mënyrë që të mbrohen nga njëri-tjetri përmes dy vijave mbrojtjeje. E.J
Ushtarakët: Si bunkerizuam Shqipërinë për 10 vjet
Vetë njerëzit që kanë marrë pjesë në nismën e “çmendur” të asaj kohe për të ndërtuar një bunker për çdo ushtar, rrëfejnë detajet e ndërtimit të këtyre objekteve dhe kostoja. Të kontaktuar nga gazeta “Shekulli” disa prej personave që kanë qenë prezent dhe kanë marrë pjesë në ndërtimin e bunkerëve rrëfejnë se përpos faktit që është e pamundur që bunkerët të shemben, nuk ekzistojnë më rrugët për të shkuar tek çdo objekt pasi disa prej tyre ndodhen në zona tepër të thella.
Prej vitit 1975 deri në 1985 në Shqipëri ka pasur një aksion ushtarak për ndërtimin e bunkerëve të ndryshme. Qëllimi i asaj kohe ishte që çdo ushtar të kishte qendrën e tij të zjarrit. Për rrjedhojë, ushtarakët që kanë punuar në atë kohë tregojnë se deri në përfundim të ndërtimit të bunkerëve në Shqipëri numërohen rreth 700 mijë bunkerë. Në momentin e ndërtimit, qëllimi i ushtrisë në atë kohë ishte që të ndërroni këto objekte dhe të mbesnin përgjithmonë aty, pasi çdo ushtar duhet të kishte një qendër zjarri. Mundësia për t’i hequr ato është thuajse e pamundur, pasi ekspertët tregojnë se janë bërë prova duke u qëlluar me artileri drejtpërdrejtë dhe kanë rezistuar. E vetmja mënyrë për t’i hequr është shpërngulja. Por, ushtarakët tregojnë se në 28 mijë metra katrorë të vendit tonë janë ndërtuar në çdo cep bunkerët dhe zhvendosja e tyre nuk mund të bëhet. Ata tregojnë se në atë kohë u organizuan të gjitha ndërmarrjet dhe punonjësit për të fortifikuar vendin.
Sipas tyre, jo vetëm ushtarakët por edhe ndërmarrje të tjera jashtë saj morën pjesë në këtë procedurë. Personat që morën pjesë në këtë proces sqarojnë se ndërmarrjet i prodhonin, ndërsa ushtarakët merreshin me hapjen e rrugës, transport, si edhe saldimin e objekteve. Ekspertët bëjnë të ditur se për ndërtimin e bunkerëve është përdorur material shumë i veçantë, i cili nuk prodhohet më ditët e sotme. Bëhet fjalë për çimento dhe hekur special. Sipas specialistëve, çimento e përdorej kishte specifikën e saj 600 kilogram për centimetër katror ndërsa hekuri 1200 kilogramë për centimetër katror. Për t’i bërë më të kuptueshme këto shifra ato tregojnë se momentalisht çimento më e madhe që përdoret për ndërtimet është 150-200 kilogramë për centimetër katrorë. Për “bunkerizimin” e Shqipërisë qeveria e asaj kohe ka harxhuar miliarda dollarë, shuma të cilat janë shumë herë më të mëdha po t’i llogarisim me vlerën e stome.
Ushtarakët tregojnë për “Shekull”-in se kostoja për ndërtimin e një bunkeri me një frëngji (një qendër zjarri), kushtonte 150 mijë lekë (me kursin e atëhershëm). Ndërsa çmimi i këtij objekti me dy qendra zjarri shkonte 300 mijë lekë. Por, kishte edhe qendra zjarri për topa, të cilat nga pas janë të hapura, për të shkarkuar mbetjet, kostoja e të cilave ishte 200 mijë lekë. Krahas këtyre qendrave të zjarrit kishte dhe bunkerë të cilat ndërtoheshin në formën e tuneleve, brenda në mal, ku hapeshin rrugë në thellësi dhe ndërtoheshin qendra e zjarri dhe dhoma armatimi. Kostoja e tyre, sipas ekspertëve, ishte miliona lekë me çmimin e atëhershëm. Për shkak të fortësisë dhe përhapjes së gjerë, ushtarakët e cilësojnë si të pazbatueshëm vendimin e qeverisë për heqjen e bunkerëve nga i gjithë vendi.
Moisiu: Si bunkerizuam Shqipërinë me urdhër të Mehmet Shehu
Një ndër ekspertët e gjallë të bunkerizimit të vendit është ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, në atë kohë zv. Ministër i Mbrojtjes për çështjen e bunkerëve. Në një intervistë dhënë në vitin 2002 për gazetarin Blendi Fevziu, Moisiu ka shpjeguar me detaje se çfarë ndodhi në ato vite. Më poshtë pjesë nga intervista.
Ju keni qenë një nga ekzekutuesit e procesit të bunkerizimit të vendit. Kush ishte ideatori i bunkerizimit dhe a menduat ndonjëherë që kjo kishte një kosto shumë të lartë dhe ndoshta e panevojshme për vendin?
Mehmet Shehu që ishte edhe Kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes në atë kohë. Fortifikimi ka kaluar në disa faza. Fortifikimi ka filluar menjëherë në ’47-48. Pastaj strategjia u zhvillua, duke pasur për bazë zhvillimin e situatave ndërkombëtare. Në ’47-48, pasi u prishëm me Jugosllavët, filloi fortifikimi, por shumë i dobët. Më vonë kur dolëm nga Traktati i Varshavës, filloi përsëri dhe arriti kulmin në vitin ’74-75, pas shpartallimit të ashtuquajturit “grup armiqësor i Beqir Ballukut”. Në ’76 filloi fortifikimi në masë. Ç’është e drejta mendonin se kjo ishte një gjë e dobishme për t’u mbrojtur, por jo në atë shkallë sa u bë. Kam pasur një shef, gjeneral Mero Backen, me të cilin u thirrëm nga Ministri i Mbrojtjes që na thotë se me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm duhet të projektonim për çdo rajon mbrojtjeje batalioni, 500 qendra zjarri, kështu quhen në gjuhën ushtarake bunkerët. Ne u tërhoqëm. Ai ishte urdhër dhe filluam të punojmë. Mendonim, po mirë në fushe, po aty ku nuk kalon dhe dhia ç’duhen. Shefi më thotë: “Alfred, është urdhër, është vendim politik. Nuk na takon neve ta mendojmë.” Bëmë tre ndarje. Nga 500 që ishte urdhri, bëme një me 250 bunkerë, një me 100 dhe në vendet e vështira. Bëj projektin dhe më thotë (Backa): “Po kush na e jep të drejtën ta gjykojmë këtë urdhër”. “I përgjigjem: “Është e vështirë, nuk bëhet ndryshe”.
Shtypi ka shkruar se në momentin e provës së këtyre bunkerëve, me urdhër të Mehmet Shehut, ju i keni provuar personalisht. Keni qenë brenda në kohën që bombardoheshin. Është e vërtetë?
Fantazia e gazetarëve i kalon ndonjëherë përmasat. Si mund të rrijë një njeri në një qendër zjarri, aq më tepër një gjeneral. Nuk mund të qëndrojë as edhe një ushtar. Kemi bërë dy prova të rëndësishme. E para, në grykën e Këlcyrës në ’75. Atje ka qenë edhe Spiro Koleka, si i dërguar i Byrosë Politike dhe Ministër i Transporteve. Prova më e madhe në Peladhja të Sarandës në ’76. Aty u hodhën një mijë predha në një rajon shumë të kufizuar. Aty kishim vënë lepuj, dhi, dele dhe dy qen kufiri. Qentë u vunë, pasi nga shqisat ata janë më afër njeriut. Pas bombardimit, instruktorët i morën qentë, të cilët e morën veten pas 30 sekondash. Pra, u arrit në konkluzionin, aty ishte një komision i tërë shkencor, i përbërë edhe nga mjekë, aty ka qenë edhe Z. Sabit Brokaj si mjek i shquar që ishte, që njeriu atje mund të rezistojë. Parimi i ndërtimit të fortifikimit u arrit pas një pune të madhe studimore. U studiua vija Zigfrid, Metaksa, Stalin, etj. dhe parimi i parafabrikateve u mor nga parimi amerikan, që u përdor në Vietnam. Kryesore ishte masiviteti dhe shpërndarja. Sepse të bëje qendra zjarri që ti rezistonin goditjeve të mëdha, ato duhet të ishin jashtëzakonisht të kushtueshme, siç ka pasur në kufirin mes Finlandës me Rusinë. U arrit në konkluzionin, që të bëheshin këto bunkerë që janë bërë. Që sipas konkluzioneve të komisionit shkencor, dolën të rezistueshme për mjetet që njiheshin në atë kohë.
(Shekulli Online)
Kur e shikon për herë të parë krijon menjëherë përshtypjen e një zonjusheje të re, e cila ka shije tepër të hollë në kombinimin e veshjeve të saj. Me një buzëqeshje të ëmbël, me flokët gështenjë me onde, me një golf ngjyrë lejla, një çantë që mban në duar dhe me pelerinën ngjyrë kafe me kuadrata hedhur mbi supe… Kjo është gjimnazistja Doliana Veliaj me origjinë nga Mallakastra, e cila ka banuar në qytetin e Vlorës derisa mbushi moshën 14-vjeçare. Në jetën e përditshme e sheh të veshur thjesht dhe më së shumti në mënyrë sportive. Ndërsa në raste të veçanta u kushton më shumë vëmendje detajeve dhe veshjes klasike. Nga afër i dallon ngjyrat dhe përherë mundohet që t’i përshtasë veshjet me modën.
Që në fëmijëri ka vuajtur prej mungesës së shikimit por falë mësuesve personalë të financuar nga një shoqatë italiane e të verbërve përfundoi filloren dhe tetëvjeçaren në Vlorë. Në vitin 2009-2010 përfundoi 9-vjeçaren në “Institutin e të verbërve në Tiranë”. Ishte një vit që i shërbeu për të kuptuar më tepër vështirësitë e bashkëmoshatarëve të vet që vuajnë nga verbëria. Aty, kuptoi se ”izolimi” nuk i ndihmonte dot për t’u përshtatur me ambjentin e jashtëm.
Doliana, studion tani në vitin e dytë për kanto. Përveçse i pëlqen të dëgjojë muzikë klasike, këngëtarët e saj të preferuar ngelen Whitney Houston dhe Celine Dion. Endrra e saj është që nesër të jetë një kritike e zonja në fushën e artit, përkatësisht në muzikologji.
Ditëve nga e hëna deri të premten ajo është në shkollë deri në orën dy, kurse fundjavave, sigurisht që është ndryshe nga ritmi i javës edhe pse asnjë ditë nuk është njësoj sepse për Dolianën “asnjë ditë nuk duhet të jetë monotone”… Pasditeve e gjen më së shumti në shtëpi, por edhe në ndonjë kafe me shoqërinë. Sekretet e saj i ndan më shoqet e ngushta, të cilat i do shumë. Nëse nuk del pasditeve me to, dëgjon muzikë, punon diçka në kompjuter, studion ose këndon. Por shpesh del dhe në ambientet e qeta të natyrës sepse aty ndihet mirë kur do të shplodhet.
Kot nuk thonë se “rastësia është mbreti i botës”… Dhe në rastin e Dolianës ka qenë rastësi. Sepse dëshira e saj për muzikën filloi në periudhën kur takoi mësuesen e pianos në ‘Institutin e të verbërve”, Dezdemona Orjetin. Më vonë prapë rastësia e bëri të takojë mësuesen e kantos në lice Alma Strazimirin. Prandaj përherë e quan veten me fat që në jetë ka takuar vetëm persona të mrekullueshëm që për të kanë qenë një shtyllë e fortë mbështetëse për të vijuar studimet deri këtu ku është sot.
Doliana mërzitet përherë kur dikush i drejtohet duke i thënë “sa gjynah’… për këtë i vjen keq sepse kanë krijuar iluzione pa e njohur, ndaj nuk ndihet fort mirë. E shqetëson realiteti në Shqipëri…! E shqetëson mentaliteti i ngushtë konceptual për individët me aftësi të kufizuara. Beson në Zot, por mbi të gjitha në aftësitë e saj! Sepse beson dhe vlerëson çdo gjë që ka. Shoqëria, familja dhe njerëzit më të dashur, nuk e kanë lënë asnjëherë të mërzitet ose të ndihet keq. Aktualisht jeton vetëm me mamin dhe babin. Dhe nuk e ndien kurrë mungesën e të vëllait dhe as të motrave pavarësisht se jetojnë jashtë shtetit, ngaqë komunikon shpesh me ta dhe përherë e shohin si më të voglën e shtëpisë dhe për këtë ndihet“e priviligjuara e fatit”. I mungon gjithçka që ka pasur në fëmijëri… I mungon shoqëria që e takon vetëm kur shkon në Vlorë, i mungon koha kur nuk i duhej të mbante dieta dhe shëtitjet bregut të detit.
Mungesa e shikimit…
“Është njëlloj sikur t’i thuash dikujt që a të mungon një shqisë që nuk egzston, ose e ndien mungesën e të fluturuarit, e normal që jo”- thotë Doliana. Njeriu në jetë mundohet ta gjejë sesi do ta zgjidhë problemin dhe jo pse i ka ndodhur. Lidhja me të afërmit ka qenë përherë shumë e ngushtë, pasi qëkur ka lindur ka qenë e verbër dhe kjo e ka bërë të mos ndihet ndryshe nga të tjerët. “Nëse do më ndodhte më vonë do ta kisha përjetuar më rëndë”, thotë ajo. Ndihet njëlloj si të tjerët sikur nuk i mungon asgjë… Motoja e saj në jëtë është se gjithçka mund të arrihet nëse ke dëshirë, vullnet dhe guxim.
Emri: Doliana Veliaj
Mosha: 16 vjeç
Jeta: Studion në lice për kanto dhe është një ndër të rejat me më shumë pasion për jetën, ndoshta edhe në krahasim me bashkëmoshataret që nuk kanë kufizime si ajo… Nuk i mungon asgjë praktike në jetë, dhe sigurisht nuk i mungon as dashuria e më të afërmëve e shoqërisë. Madje ndihet e përkëdhelura e tyre…
(Shekulli Online)
Grupi hetimor i prokurorisë së kryeqytetit, pas identifikimit të autorëve të vrasjes së demonstruesve Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj, tashmë ka zbardhur dhe skicuar edhe vendet ku ndodheshin pesë të plagosurit me armë zjarri gjatë demonstratës së 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, sipas të cilëve, të plagosurit Fatos Mahmutaj, Erald Bisha, Sokrat Gode, Ilia Papa dhe Ilia Qesku janë plagosur shumë pranë vendeve ku ndodheshin viktimat Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
“Identifikimi i vendeve ku ndodheshin të plagosurit në momentin që janë qëlluar me plumbat luftarakë që vinin nga brenda rrethimit t Këshillit të Ministrave, është bërë nga vetë të plagosurit, me daljen në vendin e ngjarjes apo me dhënien e dëshmive apo këqyrjen e pamjeve filmike. Pak kohë më parë, hetuesit dhe prokurorët e çështjes kanë dalë në vendin e ngjarjes, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, së bashku me ekspertët kriminalistë, të cilët me ndihmën e të plagosurve Erald Bisha dhe Sokrat Gode, kanë skicuar dhe shënuar vendet ku ndodheshin në momentin e plagosjes. Sipas këtij skicimi, që tashmë ndodhet në dosjen hetimore mësohet se Sokrat Gode në momentin e plagosjes ndodhej pak metra pas shpinës së viktimës Ziver Veizi, në rrugë pranë pemës së parë që ndodhet afër portës së dytë të kryeministrisë. Më pas, është identifikuar vendi ku ndodhej reporteri Fatos Mahmutaj, pranë vendit ku u vra Hekuran Deda. Po pranë viktimës Deda, por poshtë skelës më nga rruga është plagosur demonstruesi Erald Bisha”,- thuhet nga të dhënat e prokurorisë.
Po këto burime saktësuan, se ende nuk është qartësuar në vendin e ngjarjes, se ku ndodheshin dy sarandjotët e plagosur, shtetasi Ilia Papa dhe Ilia Qesku. Kjo për shkak se dy demonstruesit, pasi ngjarjes janë marr në pyetje nga prokuroria dhe më pas janë larguar drejt Greqisë dhe ende nuk janë kthyer. Por, sipas deklarimeve të tyre të dhëna menjëherë pas ngjarjes, ata kanë pohuar se kanë qenë pranë njëri-tjetrit në cep të kryesisë së Kuvendit pranë Gjykatës Kushtetuese. Bazuar në këto deklarime, sipas prokurorisë, dy sarandjotët kanë qenë pranë vendeve ku u vranë demonstruesit Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, por, pritet rimarrja e tyre në pyetje për të saktësuar vendndodhjen e tyre në momentin e plagosjes. Të pesë të plagosurit kanë plagë të ndryshme në trup, të cilat i kanë marr nga armët e zjarrit në vende të ndryshme të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, por asnjëri brenda rrethimit të kryeministrisë. Ndërkaq, i plagosuri i gjashtë nga Laknasi i Tiranës, shtetasi Artes Dybeli, ende nuk është marr në pyetje nga përfaqësuesit e akuzës, pasi sipas tyre, babai i këtij të fundit ka deklaruar se djali nuk ndodhet në Shqipëri. Ndërsa, vetë i riu në një intervistë për “Shekullin” është shprehur se që me datë 26 Gusht 2011 ndodhet në Shqipëri dhe ende asnjë person nuk e ka kontaktuar për ta marr në pyetje. Sipas dëshmisë së tij, në momentin e plagosjes ka qenë pranë vendit ku u vra Hekuran Deda, afër tribunës së vendosur nga një media vizive, buzë pishës të dytë që ndodhet në bulevard nga porta e kryeministrisë për nga ura e madhe e Lanës.
Vendndodhja e të plagosurve
Ilia Papa nga Saranda, i plagosur në krah ka dhënë dëshmi dhe tashmë ndodhet emigrant në Greqi
Ilia Qesku nga Saranda, i plagosur, ka dhënë dëshmi por që tashmë ndodhet emigrant në Greqi
Erald Bisha nga Tirana, i plagosur në gjoks, ka dhënë dëshmi jeton në kryeqytet
Sokrat Gode nga Berati, i plagosur në krahë, mendohet se ndodhet në Berat
Fatos Mahmutaj nga Tirana, i plagosur në dorë tashmë ndodhet në Belgjikë me statusin e azilantit
Artes Dybeli, nga Laknasi i Tiranës, i plagosur në qafë dhe shpatull, nuk është marr në pyetje
Kasaj: Një kopje të filmimeve ia kam dhënë Lezhjes
Task-Forca e prokurorisë së Tiranës, tashmë ka administruar në dosjen hetimore dëshminë e të dyshuarit Armand Kasaj, i cili ndër të tjera ka pranuar se një kopje të pamjeve filmike të kopjuara nga serveri qendror i kamerave të sigurisë ia ka dhënë Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, z.Gjergj Lezhja dhe shefes së analizës në Gardën e Republikës, znj.Ervina Osmani. Por, kjo e fundit është marrënë pyetje në lidhje me këto pamje, ndërsa z.Lezhja ka kërkuar kohë për t’iu përgjigjur ftesës së prokurorit të çështjes për të dhënë dëshmi. Nga ana tjetër, Osmani ka pranuar se ka marrë një kopje të këtyre filmimeve, por vetëm të kamerës lëvizëse dhe jo të të gjitha kamerave që janë të vendosura në ndërtesën e kryeministrisë. Për këtë çështjes, sipas akuzës, është pyetur edhe drejtori i personelit pranë kryeministrisë, z.Arben Shkodra. Nuk dihen shumë detaje të kësaj dëshmie, përveç faktit që ai ka mohuar se e kishte urdhëruar vartësin Kasaj të kopjonte dhe fshinte pamjet filmike që ndodheshin në serverin qendror të kamerave të sigurisë. Ndërkohë, mësohet se ai ka pranuar faktin se ditën e demonstratës së 21 Janarit ndodhej së bashku me disa persona të tjerë në zyrën e monitorimit të kamerave të sigurisë që ndodhen në katin e parë. (Shekulli Online)
Hyrije Bruka
Një 45-vjeçar nga Kamza është arrestuar dje, pasi tentoi të vriste të shoqen me thikë. Qazim Bruka, lindur në Kukës, por me banim në Kamëz e ka goditur disa herë me thikë të shoqen, Hyrije Bruka, gjatë një grindjeje, duke e lënë të plagosur.
Policia ka arrestuar menjëherë bashkëshortin e dhunshëm, ndërsa e plagosura është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Kjo nuk është hera e parë që çifti Bruka gjendet në faqet e kronikës së zezë. Në gusht të vitit të kaluar, Hyrije Bruka u vetëdorëzua në polici, pasi kishte goditur me sëpatë të shoqin, duke e plagosur rëndë.
Në deponimin e saj në polici, 32-vjeçarja Bruka, nënë e katër fëmijëve, u shpreh se i shoqi ishte i dhunshëm dhe nuk çonte lekë në shtëpi. / G. Ndoja
(Shekulli Online)