Lajmet e fundit



Bie konsumi dhe eksportet, preken tekstilet dhe materialet e ndërtimit

Emirjon Senja

Shqiptarët kanë ulur ndjeshëm konsumin duke bërë që në këtë periudhë të kenë më shumë “punë” bizneset që prodhojnë për eksport. Por edhe këto nuk gjenden në situatën më të mirë të mundshme, për shkak të uljes së kërkesës së jashtme. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, të publikuara dje nga Guvernatori Ardian Fullani flasin për rënie të konsumit në përgjithësi. “Duke analizuar përbërësit e kërkesës agregate, Banka e Shqipërisë vlerëson se kërkesa e huaj ka qenë burimi kryesor i rritjes së kërkesës gjatë vitit 2011”, – tha ai. Ndërkohë, përveç dhjetorit 2011, periudhë e cila përkon me festat e fundvitit, ecuria e importeve ka qenë në rënie gjatë gjithë vitit të shkuar.

Sipas INSTAT-it, gjatë janarit 2012, Shqipëria ka importuar rreth 35 miliardë lekë mallra duke shënuar një ulje me 33 për qind krahasuar me muajin dhjetor të cilit i referohet Banka e Shqipërisë, si edhe ulje 3.7 për qind krahasuar me janarin e vitit 2011. Në anën tjetër, vendi ka eksportuar rreth 13.5 miliardë lekë me një ulje prej 18.8 për qind krahasuar me muajin dhjetor dhe minus 9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përballë këtyre treguesve, duket se situata e mirë që kaluan bizneset eksportuese deri në fund të dhjetorit 2011 po përfundon. Shtetet e huaja, kryesisht ato të BE-së, vende në të cilat shkojnë rreth 65 për qind e eksporteve shqiptare, kanë ulur ndjeshëm importet duke prekur edhe vendin tonë.

Cilat janë mallrat që eksportojmë më shumë dhe në cilët prej tyre është shënuar rënie gjatë janarit të këtij viti? Tekstilet, materialet e ndërtimit, energjia elektrike si edhe mineralet kanë qenë grupet kryesore të eksporteve shqiptare duke i sjellë vendit të ardhura të kënaqshme gjatë viteve të fundit. Por duket se gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Vendi ka që prej prillit 2011 që nuk eksporton asnjë kilovat energji elektrike, kurse kërkesa për minerale, ka pësuar rënie. Ja se ç’thonë shifrat e INSTAT-it për eksportet e këtyre dy grupeve: Eksportet në grupin “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” kanë renë nga 4.1 miliardë lekë në janar 2011 në 3.9 miliardë lekë në janar 2012, kurse eksportet në grupin “Materiale ndërtimi” kanë renë nga 3.1 miliardë lekë, në 2.1 miliardë lekë. Eksportet në këtë grup përbëhen kryesisht nga çimentoja dhe hekuri.

Por treguesi më shqetësues është ulja e eksportit të tekstileve dhe këpucëve, në të cilin Shqipëria ka pasur vazhdimisht ecuri pozitive. Të dhënat tregojnë se eksportet në këtë grup kanë renë nga 5.1 miliardë lekë në janar 2011 në 4.8 miliardë lekë në janar të këtij viti. Tekstilet dhe këpucët që prodhohen në vend eksportohen kryesisht në Italia por edhe vende të tjera të BE-së, të cilat po përjetojnë probleme ekonomike aktualisht.

 

Familjet kursejnë

Përveç rënies edhe të eksporteve, vendi po përballet edhe me tregues të ulët të konsumit, problem i cili ceket thuajse në çdo fjalim të mbajtur nga Guvernatori Fullani. Qytetarët janë të pasigurt për të ardhmen duke qenë kështu më të prirur të kursejnë. “Të dhënat e tërthorta sugjerojnë për një ecuri të dobët të konsumit edhe në gjysmën e dytë të vitit 2011, por me tendencë përmirësimi në tremujorin e katërt të vitit. Të dhëna indirekte të përftuara nga ecuria e importit të mallrave të konsumit, nga treguesit fiskalë dhe nga treguesit e besimit të konsumatorit, japin sinjale për gjallërim të konsumit në këtë periudhë. Nga ana tjetër, prezenca e pasigurive për të ardhmen tek konsumatori shqiptar vijon të shkurajojë konsumin dhe të diktojë një sjellje të orientuar drejt kursimit”, – tha dje Fullani.

Të përndjekurit, dëmshpërblimet shpërndahen pas 20 marsit

Të përndjekurit nuk kanë marrë ende këstin e dytë të dëmshpërblimit për vitet e burgut, internimin, punën e detyruar apo vrasjet gjatë regjimit komunist, ndërsa duket që sëfundmi qeveria ka ndërmend të vendosi afate limit për shpërndarjen e tij. Kryeministri Berisha kërkoi dje që të paktën deri më datë 20 mars të zgjidhen problemet ligjore që pengojnë lëvrimin e këstit të dytë për të vijuar më pas me shpërndarjen. “Ka patur një vonesë, e cila është e diktuar nga amendimet e reja të ligjit për dëmshpërblimet, por kjo vonesë duhet të kapërcehet dhe ministria e drejtësisë dhe ajo e financave ka marrë masat që kjo pengesë të kapërcehet nëpërmjet dy, tre vendimeve që duhet detyrimisht të miratohen për të kapërcyer pengesën ligjore të krijuar nga amendimet e fundit të ligjit. Është e domosdoshme zotërinj ministra që deri në datën 20 mars të jetë zgjidhur çdo pengesë ligjore dhe të fillojë lëvrimi i këstit të dytë ,sepse ky këst është i shumëpritur nga të përndjekurit dhe natyrisht plotësisht i merituar”, – tha Berisha.

Ligji për të përndjekurit politik është duke u ndryshuar sërish dhe pritet të zgjerojë numrin e përfituesve por edhe dhënien e dëmshpërblimit për ata që janë në moshë të thyer. Qeveria ka ndarë 1.7 miliardë lekë në buxhetin e këtij viti për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik.

 

Qeveria shlyen borxhet shtetërore tek CEZ-i, KESH siguron fondet për energjinë

Qeveria merr përsipër t’i paguajë kompanisë CEZ Shpërndarja borxhet që ndërmarrjet shtetërore kanë akumuluar ndaj kësaj të. Vendimi u mor dje nga Këshilli i Ministrave dhe duket se ka të bëjë më së shumti me sigurimin e të ardhurave për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare për të blerë energji elektrike gjatë muajve të ardhshëm. Duke i paguar borxhet që ndërmarrjet shtetërore i kanë “CEZ Shpërndarjes”, qeveria i hap rrugën edhe shlyerjes së borxheve që kjo kompani i ka KESH-it duke i pastruar llogaritë të dyja kompanive. Shenjat për arritjen e një marrëveshje të tillë e dha pak ditë më parë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço në emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza duke lajmëruar se qeveria priste që “CEZ Shpërndarja” t’i paguante KESH-it borxhet e vjetra. Mësohet se borxhi në fjalë arrin deri në 4 miliardë lekë, shumë e cila do t’i mundësonte KESH-it sigurimin e energjisë elektrike të paktën edhe për dy muaj të tjerë.

Krahas KESH-it, janë një numër i konsiderueshëm ndërmarrjesh shtetërore që i kanë borxhe “CEZ Shpërndarjes”. Tipik janë ujësjellësit, ndërsa nuk mungojnë edhe shkollat e mesme apo tetë vjeçare.

 

  (Shekulli Online)

Më 01/03/2012 - 11:30 / Kliko për më shumë >>>

Investimet e huaja, 25 % më pak në 2011

E. Senja

Të huajt po investojnë më pak në Shqipëri. Kjo është ajo ç’ka mësohet nga raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë mbi ecurinë e investimeve të huaja gjatë tre mujorit të tretë të vitit të shkuar. Referuar të dhënave të BSH-së, mësohet se gjatë periudhës korrik-shtator 2011, në vend janë investuar rreth 166.4 milionë euro (rreth 222 milionë dollarë). Kjo shifër, është 32.8 për qind më e vogël krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahas kësaj, Banka e Shqipërisë raporton se volumi i investimeve të huaja gjatë gjithë nëntë mujorit të vitit të shkuar ka qenë 25.6 për qind më i vogël krahasuar me nëntë mujorin e vitit 2010. “Investimet e huaja direkte neto në tremujorin e tretë të vitit 2011, rezultuan 166.4 milionë euro ose rreth 32.8 për qind më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ato përfaqësuan rreth 7 për qind të PBB-së nominale. Në terma kumulativë, Investimet e Huaja Direkte neto për nëntëmujorin e parë të vitit 2011 rezultuan rreth 25.6 për qind më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare”, – shpjegon Banka e Shqipërisë në Analizën e Zhvillimeve të Sektorit të Jashtëm për tre mujorin e tretë 2011.

Ulja e investimeve të huaja gjatë vitit 2011 vjen pas një ecurie tepër pozitive në 2010-n, përgjatë të cilit në Shqipëria u investuan 1.1 miliardë dollarë nga jashtë. Investimet e huaja patën një rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2007 duke shënuar një volum prej 647 milionë dollarë me një rritje prej 106 për qind krahasuar me vitin paraardhës. Rritja vijoi edhe në vitin 2008, por me ritme më të ulta për shkak të pështjellimeve financiare që pësuan ekonomitë perëndimore. Investimet e huaja në këtë vit ishin 888 milionë dollarë. Viti 2009, u karakterizua nga një rritje minimale të tyre, me vetëm 6 për qind, ndërsa në vitin 2010 rritja vijoi me 18 për qind. Viti 2011 ndërkohë ishte ai gjatë të cilit flukset e jashtme pësuan ulje duke shënuar rreth 820 milionë dollarë. Vlen për t’u theksuar fakti se pjesa dërrmuese e investimeve të huaja kanë të bëjnë me privatizimin e pronës publike apo me koncesionet, të cilat kulmin e tyre e patën gjatë periudhës 2007-2009. Tashmë, nga sektorët strategjike ka mbetur pa privatizuar “Albpetroli”, “INSIGU” si edhe aksionet e shtetit tek “Albtelekom”. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha deklaroi dje se qeveria do të vijojë me thellimin e procesit të privatizimeve.

 

Bëhet shqiptar kush investon 100 mijë euro

Kryeministri Berisha publikoi pak javë më parë nismën e qeverisë për t’i dhënë automatikisht shtetësinë shqiptare të gjithë atyre të huajve që investonin 100 mijë euro në Shqipëri. Nisma vjen pikërisht në periudhën kur vendi po përballet me ulje të investimeve të huaja nisur nga problemet që po përballen vendet e Bashkimit Evropian por edhe pengesave që mbart vendi ynë. Të tilla janë problemet me pronat por edhe infrastruktura.

Investimet e huaja

2006    314 mln USD

2007    647 mln USD

2008    888 mln USD

2009    942 mln USD

2010    1.1 mld USD

 

 

  (Shekulli Online)

Më 01/03/2012 - 11:30 / Kliko për më shumë >>>

Shkarkimi i Spahiut, sot në Kuvend raporti i Komisionit Hetimor

Raporti i hartuar nga komisioni për hetimin e veprimtaërisë së ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu,pritet të miratohet sot në Kuvend. Dy ditë pas përfundimit të punës dhe miratimit të raportit në Komisionin e ngritur për Spahiun, raporti shqyrtohet në seancën e sotme.

Pavarësisht dorëheqjes së Spahiut nga posti i nënkryetarit të KLD-së, raporti do t’i propozojë Kuvendit vendosjen e ndërprerjes së qëndrimit të tij në këtë detyrë.

Sipas raportit të hartuar vetëm nga deputetët e maxhorancës, pasi socialistët nuk pranuan të bëhen pjesë e këtij komisioni, Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues i zv.kryetarit të KLD-së, duke e zëvendësuar atë me veprimtari politike.

Komisioni do t’i propozojë Kuvendit dërgimin e këtij raporti në Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim të vlerësohen shkeljet e konstatuara prej tij për ushtrimin e ndjekjes penale. / G. N. (Shekulli Online)

Më 01/03/2012 - 9:27 / Kliko për më shumë >>>

Berisha merr pjesë në samitin e PPE-së në Bruksel

Kryeministri Berisha është nisur sot drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në Samitin e Partisë Popullore Europiane.

Samiti bashkon kryetarë shtetesh dhe kryeministra, si dhe kryetarë të partive opozitare në Europë, anëtare të Partisë Popullore Europiane, të cilët do të diskutojnë zhvillimin e një qasjeje të përbashkët të EPP-së mbi çështje europiane, që i paraprin mbledhjes së Këshillit Europian.

Samiti do të moderohet nga Presidenti i PPE-së Wilfried Martens dhe pjesëmarrës në të janë Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy, Kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryeministri i Spanjë Mariano Rajoy, Kryeministri i Luksemburgut Jean Claude Juncker, Presidenti i Rumanisë Traian Basescu, Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, Kryeministri i Polonisë Donald Tusk, Kryeministri i Suedisë Frederik Reinfeld, Kryeministri i Portugalisë Pedro Passos Coelho, Kryeministri i Sllovenisë Janez Jansa etj., si dhe Presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso.

  (Shekulli Online)

Më 01/03/2012 - 8:42 / Kliko për më shumë >>>

Serbi, ultranacionalistët protestojnë kundër hyrjes në BE

Ulltranacionalistë serbë kanë protestuar kundër anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, një ditë pasi ministrat e Jashtëm të BE-së i kanë rekomanduar këtij vendi statusin e kandidatit për tu bërë pjesë e bllokut prej 27 anëtarësh.

Duke mbajtur parulla anti-BE, zyrtarët dhe ndjekësit e Partisë Radikale Serbe kanë marshuar para zyrës së presidentit serb, Boris Tadiç, ku edhe janë ndaluar nga policia.

Dragan Todoroviç, zyrtar i kësaj partie, tha se janë mbledhur mbi 200 mijë firma të qytetarëve që kundërshtojnë hyrjen në BE. Ai tha se anëtarësimi në këtë mekanizëm do të ishte “katastrofë”.

Ministrat e BE-së kanë mbështetur kandidaturën e Serbisë, pasi kjo e fundit ka arritur marrëveshje me Kosovën për bashkëpunimin rajonal. /F.S/ (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 18:37 / Kliko për më shumë >>>

Kontroll mjeteve të transportit publik

Bledar Meta

BERAT- Aksidenti i ndodhur një javë më parë në afërsi të qytetit të Çorovodës ku një autobus me nxënës doli nga rruga dhe shkaktoi plagosjen e tre fëmijëve dhe lëndimin e disa të tjerëve ka bërë që Inspektoriati i Njësisë së Qarkullimit rrugor të intensifikoj kontrollet tek mjetet e transportit publik, kryesisht ato të transportit të fëmijëve. Lajmin e bën të ditur për mediat shefi i njësisë rrugore për qarkullimin, Bledar Meta. “Që prej dy ditësh të gjitha uniformat blu të qarkullimit rrugor janë vendosur në hyrje të qytetit të Beratit ku janë duke ushtruar kontrolle të detajuara të të gjithë mjeteve që hyjnë e dalin në qytet, kryesisht të mjeteve të transportit rrugor”, thotë Meta.

Një pjesë e problematikës së qarkullimit rrugor është dhe mosrespektimi i rregullave nga ana e drejtuesve të mjeteve të transportit publik, kryesisht autobusët ndërqytetës, të cilët nuk respektojnë vendqëndrimet. Me anë të këtij aksioni synohet të kontrollohen për dokumentacionin përkatës të gjitha mjetet që hyjnë dhe dalin, po kështu dhe kontrolli teknik, i tyre, shlyerja e gjobave, mos qarkullimi i drejtuesve të mjeteve pa rrip sigurimi, etj, pohon ai.

“Sot, jemi në vazhdim të këtij aksioni ku janë vërejtur shkelje nga ana e drejtuesve. Pas Beratit ky kontroll pune i detajuar do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim në rrugët e qyteteve Kuçovë, Poliçan dhe Çorovodë”, tha kreu i rrugorëve. Meta gjen rastin që nëpërmjet medias ti bëjë thirrje qytetarëve që jo vetëm të plotësojnë të gjitha dokumentat për mjetet e tyre, por të respektojnë rregullat dhe sjelljet rrugore për të shmangur aksidentet në rrugë.

Erjola Azizolli (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 17:28 / Kliko për më shumë >>>

Rama: Varfëria në nivele alarmante, qeveria s’ka politika për çështjet sociale

Edi Rama

Gjatë prezantimt të polikave sociale në kuadër të programit socialist “Për një Rilindje Shqiptare”, kryesocialisti Rama u shpreh se varfëria reale në zona të caktuara të Shqipërisë prek dhe kalon 50 përqindëshin, ndërkohë që në tërësinë e vetë rrotullohet tek 30 për qind.

“Kjo është e vërteta e shifrave, por shifrat tregojnë pak në krahasim me jetën e vërtetë të shqiptarëve. Ajo që e përbën programin tonë një bazë për ndryshiimin e kësaj e gjendjeje është fakti që të gjitha pjesë e programit janë të integruara në një model të ri zhvillimi ekonomik, social, kulturor dhe padyshim edhe demokratik”, tha Rama.

Kreu i selisë rozë u shpreh se qeveria ka dështuar në luftën kundër varfërisë, ndërsa kriza ekonomike rëndon përditë e më shumë mbi qytetarët shqiptarë.

“Një familjeje me dy persona i duhen 35 mijë lekë në muaj për të jetuar. Dy pensionistë e kanë të pamundur të mbijetojnë. Kriza ekonomike po e vështirëson akoma më shumë gjendjen e familjeve shqiptare që vuajnë papunësinë. Shënjestrimi i varfërisë si një sëmundje e madhe sociale në vendin tonë nga ana e vendimmarrjes së qeverisë është tërësisht i gabuar. Kemi parë që 10 institucione shtetërore japin 10 burime të ndryshme informacioni kontradiktore mes veti për identifikimin dhe klasifikimin e të varfërve në vend. Jo vetëm paaftësi, por edhe mbivendosje shifrash për të fabrikuar realitetin në Shqipëri”, tha Rama.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse nuk luajnë asnjë rol në zbutjen e varfërisë. “Shkresa zyrtare e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale tregon se ne kemi ministër dhe rrogëtarë të kësaj ministrie, por jo politika për çështjet sociale”. / G. Ndoja (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 17:05 / Kliko për më shumë >>>

Koreja e Veriut pranon moratoriumin nuklear

Koreja e Veriut ka pranuar të pezullojë pasurimin e uraniumit si dhe testimin e raketave me rreze të gjerë bëjnë në të ditur zyrtar të SHBA-së dhe Koresë.

Departamenti i Shtetit Amerikanë gjithashtu bën me dije se Koreja e Veriut ka pranuar që të lejojë që OKB të dërgoj inspektorë për të monitoruar reaktorin e saj në Yongbyon.

Në këmbim, SHBA do ti dërgojë Pejongut 240 000 ton ndihma ushqimore. Lëvizje vjen pas bisedimeve të mbajtura javën e kaluar mes dy vendeve në Pekin. /F.S/ (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 16:43 / Kliko për më shumë >>>

Falsifikon kartën e identitetit duke përdorur foton e një aktori të njohur

Karta e falsifikuar

Padyshim që rregulli parë për hajdutët që falsifikojnë një kartë identiteti është vendosja e një fotoje që nuk njihet nga të tjerët. Por një kriminel nga Brazili e ka injoruar këtë “rregull”, duke përdorur foton e aktorit Jack Nicholson.

Ricardo Sergio Freire de Barros, 41 vjeç, u arrestua në tentativë për të hapur një llogari bankare me kartën e falsifikuar. Policia ka bërë të ditur se mes aktorit dhe hajdutit nuk ka ngjashmërinë më të vogël.

Barros kishte përdorur një portret të aktorit të bërë në vitin 2003 nga fotografi i gazetës Nju Jork Tajms Martin Schoeller.

Tentativa e vetme e hajdutit ishte vendosja e një emri të panjohur si Pedro dos Santos. /F.Stafa/ (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 16:43 / Kliko për më shumë >>>

Shmangni skuqjen e ushqimeve me vaj të përdorur

Përdorimi disa herë i të njëjtit vaj për të fërguar ushqimet mund të ketë pasoja të dëmshme për shëndetin.  Përfundimi ka ardhur pas një studimi të kryer nga Universiteti i Spanjës. Sipas doktoreshës Maria Dolores Guillen, njëra prej autoreve të studimit, thotë:

“Dihej se në temperaturën e vlimit, vajrat  lëshojnë aldeide, të cilat ndotin atmosferën dhe janë të dëmshme kur thithen bashkë me ajrin. Ne kryem një studim për të mësuar nëse një pjesë e aldeideve mbeten në vaj kur ai ftohet dhe përfundimi ishte pozitiv”.

Me fjalë të tjera, studimi thekson se ripërdorimi i vajit të fërgesave do të thotë kalim i këtyre helmeve në ushqimet e tjera.

Eksperimenti u krye duke përdorur tre lloje të ndryshme vajrash: vaj ulliri, vaj luledielli dhe vaj linoje, dhe rezultati ishte i njëjtë në të tre rastet.

Shumë njerëz nuk i japin ndonjë rëndësi të madhe pasojave që ripërdorimi i vajit mund të ketë në shëndetin e tyre, por studime të tjera kanë treguar se substancat në fjalë (aldeide) janë të dyshuarat numër një për zhvillimin e patologjive degjenerative të sistemit nervor si sëmundja e Parkinsonit, Alzajmeri apo disa forma tumorale.

Në këto kushte, specialistët sugjerojnë jo vetëm të shmanget përdorimi i të njëjtit vaj për herë të dytë, por edhe ngrohja e ushqimeve të fërguara.  / Gazmira Ndoja (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 16:21 / Kliko për më shumë >>>

VV: Tirana dhe Prishtina hesht ndaj shtypjes së shqiptarëve në Maqedoni

Logo e Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me ngjarjen më të fundit në Maqedoni ku mbetën të vrarë dy shqiptarë. Sipas VV-së “faktori politik shqiptar në Maqedoni është shndërruar në një apendiks të politikës maqedone”. VV shprehet se partitë shqiptare në Maqedoni nuk duhej që për interesa të ngushta personale të bashkëpunojnë me qeverinë e Gruevskit duke e legjitimuar atë, dhe në mënyrë të nënkuptuar duke e pranuar platformën e diskriminimit të shqiptarëve, që shfaqet kaq hapur dhe gjithandej te simbolet e “supremacisë” maqedone”.

“Pas krimit më të fundit që një polic maqedonas kreu, duke i marrë jetën dy të rinjve shqiptarë, Besnik Shehapi dhe Imran Mehmeti. Ndërkohë që shprehim ngushëllimin për familjet dhe për të afërmit e të vrarëve prej policit maqedonas, nuk mund të mos vëmë re gjendjen e mjerueshme në të cilën politika shqiptare i ka lënë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë”, thuhet në komunikatnë e VV-së.

Sipas saj “krimi i djeshëm në Gostivar është rezultat direkt i mendësisë shtypëse, në linja të diskriminimit etnik, që po ndërton Gruevski”. Gjithashtu VV ka kritikuar dhe heshtjen e Prishtinës dhe Tiranës për atë që po ndodh në Maqedoni me shqiptarët.

“Dëshpëruese është heshtja e qeverive në Prishtinë e Tiranë pas këtij krimi, të cilat vijojnë me papërgjegjshmërinë e tyre ndaj problemeve të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve aktualë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Politika e injorimit të realitetit konfliktual që rezulton në abuzime e në krime, paralelisht me shtrëngimet e duarve sa për sy e faqe mes pushtetarëve i ka lënë shqiptarët në Maqedoni si qytetarë të dorës së dytë në vend të vet” thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes. /F.Stafa/ (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 15:58 / Kliko për më shumë >>>
shqiperia
[Lajmet nga agjencite shqiptare te lajmeve]
...lajmet e fundit percillen nga agjencite kryesore te lajmeve shqiptare Noa, Atsh, Balkanweb etj.


 

 


Site Meter