Takimi Gjergji - Shqipëri
Trajneri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit e ka nisur me këmbën e mbarë ndeshjen e para. Pjesa e parë e takimit Gjeorgji – Shqipëri, ka përfunduar me rezultatin 0 – 1 me gol të realizuar nga Edgar Cani që në minutën e ‘2 të takimit. Ekipi i Gjeorgjisë ka humbur edhe një 11-metërsh. Portieri i ekipit tonë, Sajmir Ukani, i cili luan me Novarën në Serinë A në Itali ka pritur goditjen duke mos lejuar barazimin e rezultatit.
Xhani De Biazi mori drejtimin e kombëtares së Shqipërisë në fund të vitit 2011 dhe takimi miqësor me Gjeorgjinë është takimi i parë nën drejtimin e italianit.
De Biazi ka sjell ndryshime rrënjësore në formacion duke u dhënë më shumë hapësirë të rinjve Roshit – i cili luan në Bundesligën Gjermane, Hyka – në kampionatin Zviceran apo Canit, i cili luan në Poloni.
Në këtë ndeshje përveç debutimit të De Biazit, ndeshja e parë me fanellën e kuqezi ka qenë edhe për Canin. /F.S/
Formacioni i Shqipërisë: Ujkani, Lila, Dallku, Veliu, Agolli, Bulku, Roshi, Vila, Hyka, Muzaka, Cani.
Trajner: Xh. De Biazi
(Shekulli Online)
Vendngjarja
Maqedoni – Nesër, qytetar të Gostivarit pritet të mbajnë një marshim paqësore në shenjë proteste për vrasjen e dy shqiptarve nga një polic maqedonas.
Sipas policisë Jaqim Trifunovski, 39 vjeç, ka qëlluar për vdekje me pistoletë Imran Mehmeti 29 vjeç dhe Besnik Shehapi 26 vjeç, pas një zënke për parkim në lagjen ku banonin. Ngjarja nuk ka lidhje me detyrën e policit pasi ai në kohën e krimit nuk ka qenë në detyrë dhe se aktin e ka kryer në vetëmbrojtje.
Organizatorët përmes një komunikate kanë informuar se marshi protestues i 1 marsit do të jenë një formë e shprehjes së pakënaqësisë dhe indinjatës kundër vrasjes. Sipas organizatorëve marshi do të nis nga vendi ku është kryer krimi, pranë Gjykatës së Gostivarit dhe do të përfundojë para stacionit policor. /F.S/ (Shekulli Online)
Këshilli i Evropës
Maj – Nëntor 2012, Shqipëria do të mbajë Presidencën e Këshillit të Evropës për herë të parë që prej 17 vitesh anëtare të kësaj organizate. Por si paraqitet vendi ynë në KiE? Komiteti i Ministrave në KiE, në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare, monitoron se si i përmbushin detyrimet e tyre shtetet anëtare dhe Shqipëria është një ndër vendet nën vrojtim.
Vendi ynë në KiE përfaqësohet nga Margarita Gega, e cila është ambasadore e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë. Ndërsa në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës partitë parlamentare kanë përfaqësuesit e tyre që janë zgjedhur nga radhët e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Në kuadër të parapërgatitjeve për marrjen e Presidencës, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto është tkuar me Gerard Stoudman, Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të KiE-së, i ngarkuar me Zhvillimin Organizativ dhe Reformën e KiE-së.
Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i mendimeve rreth prioriteteve të kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave të KiE-së, si dhe rreth programeve të bashkëpunimit me Zyrën e KiE-së në Tiranë.
Ministri Haxhinasto vlerësoi se, me marrjen e kësaj presidence, vendi ynë do të angazhohet plotësisht për të dhënë një kontribut konkret në veprimtarinë e organizatës, në realizimin e objektivave dhe prioriteteve themelore të saj.
Sipas Haxhinastos, Shqipëria do ti japë prioritet dimensionit rajonal duke bërë pjesë të takimeve rajonale edhe Kosovën.
“Diskutua për mundësitë, hapësirat konkrete, që krijohen për Kosovën që të ndërmarrë hapa në drejtim të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sidomos mbas marrëveshjes së arritur në Bruksel me Serbinë për integrimin e Republikës së Kosovës në të gjitha iniciativat dhe organizatat rajonale”, tha Haxhinasto.
Kurse Stoudman foli me “nëse” duke marrë parasysh se Shqipëria është një anëtare me “njollë” në KiE. “Nëse çdo gjë shkon mirë, Presidenca e Shqipërisë do të krijojë një situatë ku të gjithë aktorët do të dalin të fituar”, tha përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të KiE-së Thorbjorn Jagland.
KiE është themeluar me 5 maj të 1949 me qëllim bashkimin e vendeve të Evropës. Aktualisht Presidencën e Komitetin e Ministrave të KiE e mban Britania e Madhe ndërsa pas Shqipërisë do ta marrë Andora. /F.Stafa/ (Shekulli Online)
Në Qarkun e Fierit për vitin 2011 papunësia ka pësuar rritje. Ky fakt është konfirmuar në analizën vjetore të Zyrës së Punës, ku ka rezultuar që në këtë qark janë regjistruar 3690 të papunë, të cilët janë paraqitur si punëkërkues të papunë në zyrën rajonale të punësimit Fier.
Nga këta 87% i përkasin grupmoshës nga 45 deri në 50 vjeç, numër i cili është rritur me 26.8 % më shumë se në vitin e kaluar, pra në vitin 2010.
Kjo rritje e shifrës së papunësisë për këtë grupmoshë, shpjegon kreu i Zyrës së Punës, Krisaq Lena, ka ardhur si rezultat i shkurtimeve të mëdha të ndërmarrjeve në sajë të reformave që ato kanë bërë siç është rasti i Albpetrolit Ujësjellës /Kanalizimeve e të tjera.
Grupmosha që ka edhe përqindjen më të lartë të papunësisë janë kryefamiljarë dhe pikërisht këtu kërkesat janë edhe më të larta.
Sipas Kristaq Lenës, Zyra Rajonale e Punësimit Fier regjistron çdo ditë e më shumë të papunë në këtë qark, kjo edhe për arsye të kthimit të emigrantëve nga vendet fqinje, pasi atje kanë humbur vendet e tyre të punës. / K. Thana
(Shekulli Online)
“Dhënia e statusit të vendit kandidat të BE-së për Serbinë, krahas nismës së studimit të fizibilitetit për Kosovën në prag të MSA-së, nuk janë shpërblime të të njëjtit nivel”, ka deklaruar ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, për KTV. Ai ka thënë se në marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale ka mundur të nxirrej edhe më shumë.
Megjithatë, Sejdiu ka përmendur presionin ndërkombëtar që, shpeshherë, në prag të ngjarjeve të rëndësishme për vendin, ka dalë në pah. Sejdiu ia ka hedhur një pjesë të fajit edhe koalicionit qeverisës për moskomunikimin e duhur me spektrin politik kosovar dhe mosnxjerrjen e një qëndrimi të përbashkët.
Sejdiu ka folur edhe rreth procesit të reformave në LDK, duke thënë se është krijuar një strukturë e mbyllur partiake.
“Presione për të pranuar 1244-shin, ka pasur edhe më herët, por ato nuk janë pranuar”, ka deklaruar ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu. Ai ka thënë se marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës nuk është më e mira, por u shpreh se ka shpresë në mbajtjen e zotimeve të vendeve mike të Kosovës, që kanë bërë për Kosovën. / Koha.net (Shekulli Online)
Një sherr mes nxënësve të gjimnazit në Kasharit ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të paradites brenda ambienteve të shkollës, ku gjatë një sherri një adoleshent ka mbetur i plagosur.
Nxënësi, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është dërguar menjëherë në spital, ku gjendja e tij paraqitet e rëndë.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet mbi ngjarjen. / G. N. (Shekulli Online)
UNMIK-u do të ketë mirëkuptim për Qeverinë e Kosovës. Misioni i OKB-së ka vendosur që të tërhiqet vetë nga mekanizmat rajonalë, ku Kosova do të paraqitet si Kosovo*.
Një ditë pasi “Koha ditore” publikoi marrëveshjen e arritur në Bruksel për përfaqësimin rajonal, ku i jepet e drejta UNMIK-ut që në organizatat ku ka prezantuar Kosovën më herët të vazhdojë të ftohet dhe të jetë palë edhe më tutje, misioni i OKB-së ka marrë qëndrim që të lehtësojë zbatimin e konkluzioneve.
“Për ne është me rëndësi që ta shohim Kosovën të përfaqësohet në nismat rajonale. Ne nuk kemi interes që të marrim pjesë në takime kur ka alternativa të përfaqësimit të Kosovës, për çka pajtohen të gjitha palët”, ka thënë Oliver Slagado, zëdhënës i UNMIK-ut.
Misioni i OKB-së, sipas zëdhënësit, është i interesuar që të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes.
Por falënderues për vetëtërheqjen e UNMIK-ut nuk është treguar të martën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se UNMIK-u nuk do të jetë as në korridore të takimeve dhe nuk e ka komentuar pikën e gjashtë të marrëveshjes në Bruksel, e cila ia mundëson UNMIK-ut prezencën. / Kosova.com (Shekulli Online)
Foto ilustruese
Autori i aksidentit që i mori jetën një 56-vjeçari mbrëmë në Xhafzotaj është vënë në pranga.
Sipas policisë së Durrësit, Lorenc Lala, 34 vjeç, banues në Rrushkull Durrës është arrestuar gjatë orëve të vona të së martës pasi dje rreth orës 19.40, duke drejtuar automjetin tip Golf me targa DR 9007 D, në rrugën rurale Xhafzotaj-Fllakë, në afërsi të kryqëzimit, ka goditur nga pas mjetin tip Lonxia, motoçiketë pa targa, me drejtues shtetasin Gjon Doda, 56 vjeç, banues në Xhafzotaj.
Ky i fundit është dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit, por nuk u ka mbijetuar dot plagëve të rënda.
Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. / Mark Brunga (Shekulli Online)
Kartëmonedhat e falsifikuara
Një person është vënë në pranga, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim për falsifikim kartëmonedhash në Sarandë. Operacioni i policisë i kryer në orët e vona të së martës ka bërë të mundur shkatërrimin e bazës ku falsifikoheshin shuma të mëdha parash, të cilat më pas hidheshin në treg.
Kaluid Kadëna, 22 vjeç, është vënë në pranga, ndërsa Saimir Selmani, 28 vjeç, nën hetim prej 3 muajsh, është shpallur në kërkim. Policia ka sekuestruar 54 kartëmonedha të falsifikuara të prerjes 2000 lekë të reja, me vlerë totale 104.000 lekë të reja si dhe printer e skaner, të cilët përdoreshin për të falsifikuar paratë.
Nga hetimet dhe përgjimet që policia ka kryer rezulton se këta shtetas kanë hedhur në treg të paktën 500 000 lekë të reja false, kartëmonedha të prerjeve 1000 e 2000 lekë të rinj. Kartëmonedhat bliheshin me 30 deri në 40 % të vlerës së stampuar dhe më pas hidheshin në tregun e Sarandës.
Policia e Sarandës vijon punën për kapjen e të shpallurit në kërkim, ndërsa paralelisht po punohet edhe për zbardhjen dhe dokuamtimin e plotë të veprimtarisë së dy të rinjve dhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë. / G. Ndoja
(Shekulli Online)
Varfëria në Shqipëri është në nivele alarmante, ndërsa fabrikon statistikat për të fabrikuar realitetin. Gjatë prezantimt të polikave sociale në kuadër të programit socialist “Për një Rilindje Shqiptare”, kryesocialisti Rama u shpreh se varfëria reale në zona të caktuara të Shqipërisë prek dhe kalon 50 përqindëshin, ndërkohë që në tërësinë e vetë rrotullohet tek 30 për qind.
“Kjo është e vërteta e shifrave, por shifrat tregojnë pak në krahasim me jetën e vërtetë të shqiptarëve. Ajo që e përbën programin tonë një bazë për ndryshiimin e kësaj e gjendjeje është fakti që të gjitha pjesë e programit janë të integruara në një model të ri zhvillimi ekonomik, social, kulturor dhe padyshim edhe demokratik”, tha Rama.
vijon (Shekulli Online)
Provimet dixhitale, një projekt që është aplikuar në Maturën Shtetërore, duhet të shtrihen edhe në universitete. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha e cilësoi këtë projekt si levë e fuqishme transparence në kuadrin e luftës kundër korrupsionit.
“Rektorët dhe dekanët që nisin detyrat le t’i vënë vetes detyrë për ta patur si trashëgimi instalimin në maksimumin e mundshëm të praktikave të provimeve dixhitale në fakultetet që drejtojnë. Ky do të jetë një kontribut kolosal për vendin. Korrupsioni është një fenomen i përjetshëm që ka në themel genet e babëzisë së njeriut”.
Duke qëndruar në luftën kundër korrupsionit, Berisha tha se duhet të nisë puna për heqjen e imnunitetit të zyrtarëve të lartë. / G. Ndoja (Shekulli Online)