Lajmet e fundit



Topalli: Bllokimi i reformave e vonon, por nuk e pengon integrimin

Kryeparlamentarja Topalli është shprehur sot se bllokimi i reformave të kërkuara për integrimin në BE mund ta vonojë procesin, por nuk mund ta pengojë atë. Duke folur në prezantimin e projektit të binjakëzimit të financuar nga BE në mbështetje të forcimit të Kuvendit, Topalli apeloi deputetët e opozitës për të votuar ligjet që kërkohen.

“Janë bërë shumë reforma që nga marrëveshja e MSA, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, por tashmë, nevojitet që kërrkush të mos bllokojë, por përkundrazi. Nëse vendet e Evropës lindore kanë pasur progres ka qenë sepse asnjë forcë politikë nuk ka bllokuar votimin e ligjit me 3/5. Apeloj kolegët e mi për të bërë atë që çdo shqiptar na kërkon, për të votuar ato ligje që KE kërkon të votojmë. Shqiptarët janë të vendosur në objektivin e tyre madhor. Ne jemi evropian, e meritojmë të jemi në Evropë. Çdo moment bllokimi mund të vonojë, por nuk mund të pengojë integrimin,” tha Topalli.

Topalli e cilësoi punën e Kuvendit pas vitit 2005 një periudhë suksesesh.

“Unë jam e lumtur që pas vitit 2005 Kuvendi i Shqipërisë arriti të nënshkruante MSA. Ne bëmë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pastaj erdhi prova tjetër ajo e vizave dhe ne e realizuam me sukses. Liberalizimi i vizave dha një dimension të jashtëzakonshëm lirie për qytetarët e izoluar për gjysmë shekulli”, theksoi Topalli. / G. Ndoja (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 11:24 / Kliko për më shumë >>>

29 shkurti, Dita Ndërkombëtare e Sëmundjeve të Rralla

29 shkurti është Dita Ndërkombëtare e Sëmundjeve të Rralla. Ato janë patologji me numër të incidencës shumë të vogël, por me një impakt social dhe personal shumë të madh.

Mund të konsiderohet e rrallë çdo sëmundje që ka një prevalencë (numri i rasteve për një numër të caktuar popullsie). Në Bashkimin Europian, pragu që nuk duhet kaluar për t’u konsideruar një sëmundje e rrallë është 5 raste në 10 mijë njerëz.

Megjithëse numri i të prekurve arrin në mijëra në vendet e zhvilluara, zbulimet e fundit shkencore sidomos në fushën e gjenetikës mendohet se do ta ulin këtë shifër.

Por ajo që është shqetësuese në lidhje me këto sëmundje është fakti që në 70 për qind të rasteve, ato shfaqen në moshë të vogël. P.sh. në Itali rreth 1 400 000 të prekur nga këto sëmundje i përkasin moshës pediatrike.

Këto sëmundje në shumicën e rasteve prekin sistemin nervor dhe shqisat, duke përkeqësuar cilësinë e jetës së të prekurve dhe duke rritur koston e sociale të tyre. / Gazmira Ndoja

  (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 11:24 / Kliko për më shumë >>>

Të mësosh Messenger 60 vjeç

 Entela Resuli

E gjejmë në kuzhinën e tyre duke qeshur, dhe bërë me dorë përballë një ekrani të vogël. Po flisnin me vajzën mijë kilometra larg, e kurrë nuk e kishin menduar që bisedat e tyre me fëmijët do të ishin në këtë lloj forme. Janë prindër e gjyshër 60 vjeçarë që janë detyruar të futen në botën virtuale të internetit për një arsye: T’i shohin e ndjenë më afër fëmijët. Më parë as nuk u kishte shkuar në mendje që do të vinte një ditë dhe me një ekran të vogël do të lidheshin me të afërmit që jetojnë në një shtet tjetër. Interneti ua ka bërë mallin më të lehtë.

Sofia Priftuli banon në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë  në një pallat të vjetër me tulla parafabrikate në katin e dytë, së bashku më bashkëshortin e saj Dhimitraq. Banesa e tyre është e vogël, por e përshtatshme për këtë çift të moshuarish në prag pensioni. Ata kanë tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Të tre jetojnë jashtë. Vajza e madhe jeton në Strasburg, e dyta në Milano të Italisë, ndërsa djali, në Gjermani. Prej më shumë se dy muajsh shoqëri u bën një kompjuter laptop “Apple” të cilin ua ka sjellë i biri nga vendi ku jeton.

E kishin ndjerë edhe më parë erën e të folurit në internet aq sa shkonin në qendra të tilla e rrinin më orë të tëra për të parë fytyrat e fëmijëve, kjo jo se nuk i kishin dëgjuar në telefon, por e para nga ekrani për ta ishte më ndryshe. Djali nuk ngurroi tu sjellë prindërve një lap top, e në këtë pikë i gjithë problemi ishte, a do të arrinin të mësoheshin ata më të. Si do e përdornin? Atë nuk e njihnin kompjuterin. Më ndihmën e nipërve dhe mbesave ia dolën.

Sofia tregon se mësimet e para i ka marrë nga e mbesa, e cila i mësoi se si të hapë një adresë mesengeri e më pas një adresë facebook. Sigurisht që 60 vjeçarja nuk e kishte të thjeshtë. Duke na treguar për “mësimet” e para që  ka marrë në këtë fushë, qesh duke rrëfyer se nuk e ka pasur të thjeshtë, por ia ka dalë dhe është me mendimin se asgjë nuk është e pa mundur. Tani hap facebookun. Ka me dhjetëra miq në të, flet me gjithë të afërmit jashtë, shkëmben mesazhe dhe pëlqime jo si çdo grua në moshën e saj. Janë të shumta familjet që kanë një kompjuter në shtëpi, por askush prej personave që kanë një moshë mbi të 50-tat nuk i afrohen atij, u duket i huaj, gati-gati e pa adoptueshme për ta. Por ka nga ata, si shembulli i këtyre gjyshërve që kanë marrë guximin t’i përshtaten moshës së interentit, të cilën po kalon Shqipëria dhe të vënë duart e të hapin faqe të ndryshme e të bëjnë kërkime.

Këta gjyshër kanë mësuar në mënyrë mekanike, si të hapin adresën e messengerit, si të bëjnë kërkesat për “video call”, si të gjejnë miqtë e tyre në facebook apo të vendosin foto e tyre.

Kur e pyesin Sofien çfarë kurioziteti e shtynë të hapi google-n e të kërkojë na përgjigjet: “Kot, sa për kuriozitet, i hap. Nuk është se di anglisht. Unë di italisht, di të flasë në greqisht jo më të shkruar, di pak frëngjisht. Po anglisht nuk di fare, por fatkeqësisht, kompjuteri është në anglisht. Kam mësuar disa gjera në mënyrë mekanike, përshembull facebookun ma ktheu mbesa në shqip se unë nuk dija. Aty komunikoj me të afërmit, kam një mbesë në Gjermani, i bëra një ditë një mesazh, e mori ajo dhe kur shoh unë të nesërmen më kishte kthyer përgjigje”.  Është e habitur më këtë zhvillim që ka marrë teknologjia, aq sa shprehet se është arritje e madhe e shkencës kjo. “Më parë kur shkoja në qendër interneti, isha e ngrtë, është shumë më ndryshe që ta kesh në shtëpi, kam emocione, do qesh, do flas. Ndërsa kur aty më thoshin; shët, të dëgjuan”. Kjo mënyrë komunikimi ia ka shkurtuar kohën e të folurt në telefon: “Tani flasim shumë në Messenger. Vajza e vogël me bën në celular një zile dhe ja dimë sinjalin njëra-tjetrës, do të thotë që hap kompjuterin. E madhja më mirë në telefonin fiks dhe më thotë nëse ka mundësi të dalë. Nuk mund të flasim çdo ditë se kanë dhe punë e angazhime”.

Sofia Priftuli

Sofia sot është 60 vjeç ndërsa bashkëshorti i saj Dhimitraqi më të cilin ka 35 vjetë martesë është 62. Me profesion ka qenë rrobaqepëse dhe ekonomiste. Rrobaqepësin tregon se e ka mësuar që 12 vjeç, duke pohuar me keqardhje se ajo kohë nuk ia dha mundësin të bëhej stiliste. Pas viteve ’90 hapi një dyqan për hatër të djalit, pasi ai ia kishte kërkuar, deri në mars të vitit të kaluar ajo punonte çdo ditë në lokal, derisa e mbylli. Sot jeton së bashku më bashkëshortin e saj, me kujtimet dhe biesdate e fëmijëve nga ekrani i ftohet i kompjuterit e duke parë nipërit e mbesat që rriten çdo ditë (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 11:24 / Kliko për më shumë >>>

Stoudman: Mirëpresim marrjen e presidencës nga Shqipëria

Përfaqësuesi i Posaçëm i sekretarit të Përgjithshëm të KiE-së, Gerard Stoudman, shprehet se KE e mirëpret presidencën e radhës së Shqipërisë dhe është i gatshëm të kontribuojë për integrimin e vendit tonë ne BE.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm shqiptar, Gerard Stoudman, u shpreh gjithashtu se marrja e Presidencës nga Shqipëria vjen në një moment kyç dhe shënon një hap të rëndësishëm në rajon.

“Këshilli i Europës po mirëpret presidencën e ardhën të Shqipërisë. Kjo gjë është me rëndësi jo vetëm se është hera e parë që merrni presidencën por kjo gjë vjen në një moment kyç dhe shënon një hap të rëndësishëm në rajon. Nëse çdo gjë shkon mirë, në kohën e presidencës suaj, situata do jetë me fitim për të gjitha palët. KiE qëndron në gatishmëri t`u asistojë dhe kontribuojë në integrimin e Shqipërisë në Evropë, në bashkëpunim me ju, qeverinë shqiptare dhe BE”, tha Stoudmann.

Ndërsa ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, u shpreh se gjatë presidencës së saj, Shqipëria do të japë kontributin e saj për një sërë çështjesh të rajonit.

“Kemi folur për mundësitë dhe hapësirat konkrete për antarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës” thekoi më tej Haxhinasto.

Shqipëria merr në maj Presidencën e radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. / G. Ndoja (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 10:43 / Kliko për më shumë >>>

Berisha: PS bllokon reformat, Topin s’e voton as i vëllai. Keqardhje për Oketën

Denis Dedej 

Kryeministri Sali Berisha është shfaqur përpara mediave pas një periudhe të gjatë mungese dhe ka komentuar zhvillimet e fundit në politikën shqiptare. Ai ka folur për situatën e krijuar brenda në PD, mundësinë e largimit të disa nga deputetët e tij drejt partisë së re, rolin e presidentit Topi, hetimet e 21 janarit si dhe për ngërçin që është rikthyer dje në Kuvend. Duke komentuar statusin e vendit kandidat në BE, Berisha njoftoi shqiptarët se duhet ta harrojnë këtë vit.

Më poshtë pjesët kryesore të pyetje-përgjigjeve të kryeministrit:

_Deputeti i PD-së Oketa ka hedhur një akuzë duke thënë se mbledhjet e grupit të PD-së i ngjajnë mbledhjeve të byrosë. Cili është qëndrimi juaj?_

Siç e dini, Kryetari i Partisë Demokratike, vetëm në rastet kur nuk ndodhet në Shqipëri, merr pjesë një herë në javë, në mbledhjen e grupit parlamentar dhe diskuton në këtë mbledhje probleme të interesit të përgjithshëm, të platformës, por edhe probleme të veçanta të zonave të tyre elektorale, ose çështje të tjera. Kjo është një konstante e shumicës së mbledhjeve, përveçse rasteve, kur ndonjë shkak madhor protokollar më detyron ta bëj mbledhjen të shkurtër. Në këtë kontekst, ju garantoj se si rregull, në shumicën e mbledhjeve, deputetët ngrenë para kryeministrit dhe ministrave të pranishëm probleme që kanë të bëjnë me çështje të zgjedhësve të zonave të tyre elektorale, me shqetësime dhe ankesa të tyre. Deputeti Oketa, as tani, as në kohën kur ka qenë në funksione ndër më të larta në qeveri, nuk ka ngritur qoftë edhe një problem të vetëm, në mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Të besoj se ish ministri i Mbrojtjes ishte frikacak të ngrinte çështje në mbledhjet e grupit parlamentar, kjo nuk më konvenon me problematikën. Deputeti Oketa ka marrë pjesë rregullisht në mbledhje gjer në shtator apo tetor, siç thotë dhe nuk ka ngritur ndonjëherë as edhe një problem, as kur ka qenë zëvendëskryeministër apo ministër apo deputet. Kështu që, shkaqet e këtij divorci duhet t’i kërkojmë tjetërkund. Unë jam i hapur për çdo diskutim. Zoti Oketa zgjodhi një mënyrë tjetër. E kemi dëgjuar ndonjëherë kryetrarin e partisë të thotë pse Oketa bëri këtë apo atë? Kam vetëm këtë keqardhje: zoti Oketa hyri në parti si përfaqësues i një brezi tjetër, të ri dhe u largua nga PD-ja si një Namik Dokle. Parlamenti dhe muret e tij kanë arkivin dhe memorien, koha stamposet. Ndodhi në vitin 1991 që si kurban për Ramiz Alinë, Namik Dokle pranoi të marrë vetëm votën e tij, ndodhi në vitin që jemi, që kurban për Bamir Topin, Gazmend Oketa të marrë vetëm votën e tij. Këtë, Gazmend Oketa nuk duhet t’ia bënte vetes.

 

_Në kushtet kur faktori ndërkombëtar, ambasadorët në Tiranë, ka intensifikuar deklaratat e tij në drejtim të mazhorancës për zgjedhjen e presidentit konsensual, i konsultuar me të gjitha palët. Ju i qëndroni deklaratës suaj se presidenti do të dalë nga radhët e mazhorancës,si politikan karrierë nga radhët e mazhorancës?_

Unë jam njeri jashtëzakonisht vlerësues dhe bashkëpunues me faktorin ndërkombëtar. Por, në atë që quhet faktor ndërkombëtar në këtë vend e në çdo vend, sundimi i ligjit është standardi që bashkon vendet e lira. Në këtë kontekst, ne jemi të hapur të diskutojmë me të gjithë faktorët parlamentarë, kandidaturat apo kandidaturën për president të republikës, por, në çdo rrethanë, ne mbetemi të vendosur t’i japim vendit një president në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Do të ishte qesharake, jo serioze që ne të zëvendësonim Kushtetutën me forma të tjera të paparashikuara. Periudha, kur ne e zgjidhnim presidentin me 3/5 e votave, mori fund në vitin 2008, me një marrëveshje për ndryshimin e Kushtetutës së vendit.

_Do ta tentoni kompromisin në tre raundet e para, pasi në deklaratat e mëparshme keni lënë të kuptohet se do të jeni një kandidat i mazhorancës?_

Do të jetë kandidat i mazhorancës dhe në rast se zoti Rama do të japë votat, ne e mirëpresim. Sikundër, zoti Rama, në përputhje me Kushtetutën është i lirë dhe i ftuar të paraqesë kandidatin e tij. Nuk ka asnjë pengesë, zoti Rama ka të gjithë fuqinë, me firmat e deputetëve të tij, të paraqesë një apo dy kandidatë, sipas dëshirës së tij. Ky nuk do të jetë një proces konfrontues, por do të jetë kushtetues. A do të jetë nga mazhoranca? Unë i qëndroj asaj që kam thënë në kryesinë e Partisë Demokratike. Nuk di ndonjërin që mund të më thuash se nuk ka kapacitetin për të mos qenë president i republikës. Ky është vlerësimi im. Natyrisht, pastaj vlerësimet janë individuale. Por ligji ndiqet.

_Kur jemi një vit para zgjedhjeve të vitit 2013, keni ndërmend të bëni ndryshime në qeveri nisur edhe nga kërkesat që keni nga anëtarë të grupit tuaj parlamentar, që kërkojnë ndryshime në qeveri, si deputeti Alibeaj, Xhepa?_

8 maji ishte prova më e rëndësishme për qeverinë që unë kryesoj. 8 maji ishte testi mbarë popullor, për funksionalitetin e kësaj qeverie. Kundërshtari im, për të më ndihmuar mua në këtë drejtim, i shpalli zgjedhjet plebishit antiqeveritar dhe këtë nuk ia diktova unë, por e zgjodhi vetë. Dhe rezultati i 8 majit ishte 142 mijë vota më shumë për koalicionin që unë drejtoj, sesa koalicioni i zotit Rama. Rezultati ishte gjithashtu fitorja e katërfishtë në bashkinë e Tiranës, në total me 10 909 vota më shumë. Unë nuk kam alternativë tjetër veçse të respektoj verdiktin e qytetarëve dhe vlerësimin e tyre.

_Po nëse ju kërkon LSI ndryshime në qeveri, do t’i bëni?_

LSI është në qeveri si një forcë politike sovrane, e lidhur me një marrëveshje e koalicion dhe unë, si kryetar i mazhorancës, jam i detyruar në përputhje me atë marrëveshje, të respektoj vullnetin e kësaj force, në përmasat e marrëveshjes.

_Sot është cenuar kompromisi në komisionin e ligjeve dhe ka gjasa të mos miratohet me konsensus Kodi Penal në seancën e së enjtes në parlament…_

Ajo çka mund të përmbledh këtu dhe juve mund t’ju vijë pak si e veçantë është: blloku është vetëm bllokim, çunat e bllokut nuk kanë parim tjetër, përveç bllokimit. Është jashtëzakonisht interesante lidhja e qëndrimit të tyre me bllokun dhe nocionin e etërve të tyre. Le t’i marrim me radhë, se mund të duket çudi. Po punohej fare mirë në reformën elektorale, me seriozitetin e përkushtimin më të madh. Mesa di unë, OSBE kontraktoi ekspertë të një reputacioni botëror në doktrinën elektorale… Zoti Rama nuk e pranoi propozimin e parë, sepse në të gjithë matematikën, ai del humbës në 2013-ën dhe nëse do ta bënte vetë ligjin, në 2013 nuk do të kishte më Kastriot [Islami] për të bërë kurban dhe të gjithë do t’i thoshin se nuk do të kishte më mundësi të akuzonte 20 mijë komisionerë si tradhtarë apo të korruptuar nga kryeministri. Për t’u shpëtuar këtyre të dyjave, zgjodhi rrugën tjetër, e cila për çdo njeri të qytetëruar është rrugë kompromisi. Zoti Rama doli befas para jush dhe denoncoi bllokimin, edhe pse nuk ju tha edhe një amendament të vetëm të paraqitur nga partia e tij që ishte hedhur poshtë nga ne. Bllokuan reformën!… Ai harron se kryeministri i Shqipërisë dhe çdo kryeministër në një vend të lirë është ai që udhëheq në fushatë elektorale, është ai që mban të gjithë përgjegjësinë për fitoren dhe për humbjen, është ai që jep llogari periodike, intensive në parlament, para kombit e qytetarëve të vet për problemet. Për këtë arsye, Kushtetuta e të gjitha vendeve, i Shqipërisë, Gjermanisë dhe vendeve të tjera, i njeh të drejtën e fjalës në parlament sa herë të dojë të flasë. Ky është një nen standard edhe në Kushtetutën e Shqipërisë dhe këtë nen e ka vendosur në Kushtetutë paraardhësi im dhe zoti Rama nuk kërkoi ta lëvizej ky nen, kur ne ndërhymë në Kushtetutë, sepse nuk mund të lëvizej. Zoti Rama e sheh se më parë mund të gjejë një eskimez në shkretëtirë, sesa të bëhet kryeministër… Çfarë ndodhi sot? Që nga fillimi i viteve ‘800, që nga koha e Napolon Bonapartit që është edhe themeluesi i kodeve të sotme të botës perëndimore e gjer më sot, dënimi kolektiv nuk ekziston. Për hir të së vërtetës, këtë nuk e kanë as kodet e Kim Il Jungut, por nuk e kishin as edhe kodet e etërve shpirtërorë të Edi Ramës. Vendimi i Këshillit të Ministrave është vendim kolektiv, vendimet e parlamentit janë vendime kolektive. Është primitivizëm të shkosh 200 vjet mbrapa. Të kërkosh dënim kolektiv, është kërkesa më ekstreme dhe më e zezë që mund të bësh…

_Mos vallë emri i ardhshëm për Presidentin e Republikës po mban peng mbledhjen e forumeve në PD për përzgjedhjen në postet drejtuese dhe nëse ka ndonjë afat se kur mund të mblidhen këto forume?_

Asgjë nuk ka të vërtetë në problemin e parë. Por a do të ishte e njerëzishme që forumet e PD-së të nxirrnin emrin e Presidentit tani, në një kohë kur zoti Topi ka edhe disa muaj në detyrë? Në respekt të institucionit të Presidencës emri do të dalë dhe do të diskutohet atëherë kur e përcakton Kushtetuta.

_Si i konsideroni hetimet e deritanishme për ngjarjet e 21 janarit në një kohë që Prokuroria ka një akuzë publike dhe pretendon se ka fakte konkrete se Komandanti i Gardës akuzohet për vrasjen e shtetasit Faik Myrtaj?_

Për sa i përket këtij problemi, lexo gazetat çdo ditë se si Prokuroria shet dosjen dhe dëmton hetimet. Kjo është një gjë jashtëzakonisht e rëndë dhe të garantoj se nuk ndodh kurrë në ndonjë vend tjetër përveçse në Shqipëri ku me dosjet dhe materialet bëhet pazar. I shesin me lekë apo i shesin me politikë këtë unë nuk e di. Di që çdo ditë botohen gënjeshtra ose fakte nga dosja e hetimit. Kjo është mënyra më e sigurt për të shkatërruar hetimin.

_A keni pasur një reagim zyrtar lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi. Cili është komenti juaj dhe sa e shihni këtë si një arritje të Kosovës?_

I përmbahem plotësisht asaj që kam deklaruar me bindjen time më të thellë se ai është një akt i një rëndësie të veçantë madhore për Kosovën. Nuk them se ajo se aty nuk u bë një kompromis. Sigurisht që u bë një kompromis nga të dy palët. Por të jemi të drejtë, të dy palët këtë kompromis e kanë bërë për të njëjtin qëllim. Për një qëllim që ia vlen shumë në vlerësimin tim. E kanë bërë për rrugën Europiane për të garantuar të ardhmen e tyre në Europë. Kosova pranoi “fusnotën” dhe do të jetë e gabuar të mendohet se e pranoi ngushtësisht për marrëdhënie bilaterale me Serbinë. Fusnota ishte e domosdoshme për Kosovën sepse 5 vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo është e vërteta më e madhe dhe se pa votën e këtyre 5 vendeve hapat e Kosovës drejt BE-së, për të mos thënë janë të pamundura, janë shumë të vështira…

_Do ti referohem drejtuesit të aleancës KUQ e ZI, i cili të paktën dy ditët e fundit ju ka akuzuar ose ka folur ashpër për juve duke ju cilësuar si anti-shqiptar, ka kërkuar të zbardhet edhe biseda me Samaras dhe ka deklaruar që do t’ju çojë në minorancë pas zgjedhjeve të 2013-tës?_

Aleancë portokalli, apo Kuq E Zi, apo Faqe zi?

_Zoti Kryeministër ti kthehemi edhe njëherë situatës politike. A keni informacion që nga grupi i juaj parlamentar mund të iki edhe ndonjë deputet tjetër me partinë që pritet të drejtohet nga Bamir Topi pas korrikut dhe që pritet të shpallet në fund të muajit mars? Si i keni bërë llogaritë që votat e elektoratit tuaj të mos ndahen me partinë e zotit Topi, parti e cila ka deklaruar që do jetë e qendrës së djathtë?_

Partia që votoi për Edi Ramën, edhe i vëllai i tij ka votuar për ne. Edhe Flamuri ka votuar për mua dhe do votojë për mua çfar problemi mund të kem unë. Shko pyete merre në telefon po nuk të tha që kam votuar dhe do votojë për Sali Berishën. Është vëllai i madh i tij. Tani kjo i përmbledh të gjitha. Kjo e tejkalon grupin dhe të gjitha.

_Ju thatë që zoti Rama ka probleme të mëdha me realitetin e sotëm, ndërkohë po citoj zotin Besnik Mustafaj, një ish-bashkëpunëtorin tuaj më të afërt, i cili deklaroi se zoti Berisha është shkëputur me tepri nga realiteti. Cila është e vërteta në fakt pas kësaj?_

Nuk ke bërë zgjedhjen e duhur ke bërë zgjedhjen e gabuar sepse shkrimtari Besnik Mustafaj, po ta kesh ndjekur, nuk ka mohuar kurrë që është shkrimtar. Pra shkrimtarët kanë realitetin e tyre dhe prandaj janë shkrimtarë se përndryshe do ishin si ne të tjerët jo ata e kanë. Ndaj dhe nuk mora argumentin, por ai nuk foli për orientimin tim politik. Ai kapi realitetin, shkrimtari për të qenë shkrimtarë ka perceptimin e tij. Kaq e ka frymëzimin. Po ja hoqe ai iku dhe u bë si të tjerët.

_Pyetja tjetër ka të bëj me një prej viktimave të 21 Janarit me Hekuran Dedën. Janë pikërisht vëllezërit e tij që kanë denoncuar edhe publikisht për një lloj tratative të tuajën për të hyrë në shtëpinë e tyre madje ka pasur dhe kërcënime. Ka dhe një kërcënim i cili është bërë publike dhe në gjykatë?_

As dhe njëherë, përveç keqardhjes dhe ngushëllimeve nuk kam bërë as dhe më të voglën përpjekje apo tentativë tjetër. E kundërta mund të jetë. Unë kam qëndruar ky që kam qenë publikisht. Kam theksuar e theksoj se institucionet e një vendi nuk mund të pushtohen kurrë. Për të faktuar këtë kam qëndruar pesë orë në zyrën time.

_Jemi në 21 vite demokraci ju thoni gjithmonë djemtë e bllokmenëve, bllokmen e rinj, si ndihet kryeministri i vendit tim kur shikon në shtypin e ditës fotot e tija personale me shtypin e kohës?_

E dhimbshme që unë të detyrohem një termi që duhet ishte harruar, por qëndrimet e kam theksuar edhe një herë nuk e kam përdorur kurrë këtë term për Fatos Nanon. Kam përdorur epitete nga më të ndryshme, por jo këtë term se nuk i shkonte. Edhe po ta përdorja, nuk do të besohej. Unë do të përdor gjëra që besohet. Çfarë ndodhi më këtë ky i mblodhi si zogjtë e klloçkës, shko merr pak grupin parlamentarë merr pak kryesinë se si është ndërtuar me biografinë e etërve. Po pse vetëm ata mund të ishin anëtarë të kryesisë për shkak të etërve që deri në vitin 2000 gjysma e tyre nuk ka qenë në Shqipëri fare. Për sa ditë i numëruan votat, për sa dit i gatuan votat. Nuk jam unë që i kam mbledh ata është zoti Rama që i ka mbledh ata dhe i ka vendosur kupolë. Merri të gjithë janë aty kur nuk kanë qenë më parë në PS. Pse këta zotërinj votojnë bllokimin. Pse këta dëmin ndaj kundërshtarit e konsiderojnë qëndrimin e parë që dëmton interesat e vendit. pse këta në bllokimin e vendit shohin interesin e tyre.

* * *

Kreshnik Spahiu: Berisha të tregojë pazaret me grekun Samaras

Kryetari i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu ka akuzuar dje kryeministrin Berisha për takime të dyshimta me kreun e partisë greke “Neodemokracia”, Antoni Samaras ku janë diskutuar favoret që shqiptarët i kanë bërë Greqisë. Spahiu iu përgjigj edhe komisionit hetimor ndaj tij dhe akuzave të ngritura në raportin përfundimtar për abuzime financiare, keqpërdorim të postit dhe vizita të shpeshta jashtë vendit. Nga ana tjetër Spahiu ka akuzuar kryeministrat Berisha dhe Thaçi se po pengojnë bashkimin e shqiptarëve në dy vendet tona.

_Zoti Spahiu, jeni akuzuar se keni cenuar marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët dhe se me qëndrimet tuaja keni dëmtuar marrëdhëniet me Greqinë. Cili është komenti juaj?_

Sot Aleanca KuqeZi ka një apel për Kuvendin e Shqipërisë, apel që Kuvendi dhe deputetët e tij të thërrasin në interpelancë kryeministrin e vendit Sali Berisha. Është momenti që Kuvendi i Shqipërisë të zbardhë përpara opinionit publik, përpara shqiptarëve detajet e takimit të kreut të ekzekutivit shqiptar me kreun e “Neodemokracia’s” së Greqisë Antoni Samaras. Të zbardhen procesverbalet e takimit të kryeministrit. Cilat ishin termat e bisedës së kryeministrit me Antoni Samaras? Çfarë pazaresh u zhvilluan në takim? Çfarë iu premtua kryeministrit Berisha nga Antoni Samaras? Çfarë iu dha në këmbim? Cilat janë lidhjet serbo-boshnjake dhe cilat janë detajet e paktit? Është koha kur shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen, ashtu si populli grek zboi klasën e vjetër politike, po kështu ka ardhur koha që shqiptarët të largojnë njëherë e përgjithmonë lidershipin e krokodilit që ka marrë peng Shqipërinë dhe shqiptarët.”

_Zoti Spahiu kohët e fundit jeni sulmuar edhe nga opozita përveç sulmeve të mazhorancës. A keni një koment për këto sulme?_

Kjo është një frikë nga deti i votave kuqezi, frikë nga deti i votave të Aleancës KuqeZi. E majta dhe e djathta do të mbeten në minorancë, në opozitë pikërisht nga ky det i votave kuqezi.

_Pas vizitës tuaj në SHBA në Departamentin e Shtetit, flitet se ju do të zhvilloni një vizitë në Britaninë e Madhe. A mund ta konfirmoni këtë?_

Është një axhendë e ngjeshur ku do të zhvillohen shumë takime në shumë kryeqytete të botës. Aleanca KuqeZi ka një axhendë takimesh informuese për vendosjen e marrëdhënieve me shume qeveri europiane, për të cilën do të njiheni në ditët në vazhdim.

_Z.Spahiu një grup deputetësh të parlamentit të Kosovës kanë ndërmarrë një nismë për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe do të zhvillojnë takime edhe në Tiranë me Presidentin e Republikës. Një koment?_

As komisionet hetimore dhe as arrestimet nuk do ta ndalin ortekun kuqezi, një ortek që ka bashkuar mbarë shqiptarët. Kjo është një çështje që Aleanca KuqeZi e ka në planin e saj të veprimit dhe për këtë nuk ka kthim mbrapa. Sigurisht që kjo çështje ka dhe vështirësitë e veta për shkak të pengesave që lindin dhe krijohen nga dy qeveritë e vendeve tona, pra të Shqipërisë dhe Kosovës. Janë dy qeveritë, Berisha dhe Thaçi, që në vend që të bashkojnë shqiptarët i ndajnë, pasi janë dy qeveritë më të korruptuara në rajon dhe Europë. Denis Dedej

 

_Grupi i reformës takon ekspertët e OSBE-ODIHR_

Grupi i punës për reformën zgjedhore zhvilloi dje një takim konsultativ me ekspertët e OSBE/ODIHR-it. Burime brenda mbledhjes bëjnë të ditur se ekspertët kanë dëgjuar dy palët në lidhje me amendamentet e miratuara deri në këto momente si dhe propozimet që janë vendosur në axhendën e ditëve të ardhshme. Nga ana e tyre, ekspertët dhanë opinionin për disa nga ndryshimet e miratuara nga grupi i punës për reformën zgjedhore. Një çështje e veçantë gjatë diskutimit ishte mënyra e numërimit të votave. Sistemi elektronik i numërimit të votave mori dhe pjesën më të madhe të diskutimit në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura. OSBE/ODIHR kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme të arrihet zgjidhja e problemeve të vërejtura në numërimin elektronik të votave.  Ditën e sotme, grupi i punës pritet që të takohet sërish në mjediset e Kuvendit për të diskutuar dhe njëherë mënyrën e numërimit të votave dhe hartimin e një drafti lidhur me këtë çështje.

Uollfarth: Palët nuk kanë arritur atë që do duhej

Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë Eugen Uollfarth i bëri thirrje mazhorancës dhe opozitës që të përshpejtojnë punën për reformën zgjedhore dhe atë parlamente. Për kreun e prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Uollfarth, si PD ashtu dhe PS, duhet të kthejnë vështrimin nga vetja për të parë a po tregojnë vullnet të mjaftueshëm politik në proces. Gjithsesi, sipas tij, dy palët duhet të tregohen të matura duke kërkuar në radhë të parë cilësinë. “Përmbajtja është më e rëndësishme se koha. Është më i rëndësishëm diskutimi i mirë dhe konstruktiv dhe propozimet për zgjidhje cilësore afatgjata. Në këtë kontekst, ne nuk kemi arritur plotësisht aty ku donim të ishim. Për këtë arsye, një shtyrje e afatit duket shumë e nevojshme. Megjithatë, çdo orë e çdo dite të çdo jave që tani e tutje duhet përdorur në mënyrë konstruktive”, theksoi ambasadori i OSBE-së. Ambasadori i sugjeron mazhorancës dhe opozitën zhvillimin e takimeve të përditshme për përshpejtimin e punës që lidhet me reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 10:43 / Kliko për më shumë >>>

PS e PD nuk bien dakord për kompetencat e kryeministrit

Luis Tanushi / Denis Dedej

Konsensusi i brishtë i arritur më 14 nëntor mes PD-së dhe PS-së, i cili deri tani është shoqëruar me miratimin e një sërë ligjeve, dje është vendosur përpara një sprove të fortë për kompetencat që duhet të ketë kryeministri. Teksa të gjitha ndryshimet në Kodin Penal dhe atë Civil janë kryer me konsensusin e të dyja palëve dhe janë bërë vetëm ndryshime teknike, PD e PS nuk kanë mundur të bien dakord për kompetencat e kryeministrit mbi INSTAT-in dhe drejtorinë që kodifikon informacionet sekrete. Në Komisionin e Ligjeve, mazhoranca miratoi e vetme Kodin Penal pasi opozita u shpreh kundër për shkak të mospërfshirjes së dënimit për ata zyrtarë që falsifikojnë statistikat zyrtare siç mund të jetë INSTATI. Edhe në Komisionin e Sigurisë, mazhoranca miratoi e vetme kalimin e Drejtorisë së informacionit të klasifikuar nën varësinë direkt të kryeministrit Berisha. Të dyja këto kompetenca i janë shtuar kryeministrit në fillim të këtij viti pasi më parë nuk i takonin atij.

Me nëntë vota pro dhe pesë kundër, mazhoranca miratoi e vetme paketën e amendimeve në Kodin Penal. Propozimi i socialistëve për dënimin e personave që falsifikojnë statistikat zyrtare shërbeu si molla e sherrit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Sipas propozimit të deputetëve të majtë, falsifikimi i të dhënave statistikore zyrtare dhe administrative nga zyrtari që ka për detyrë për të ruajtur prodhuar, përpunuar apo publikuar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Por demokratët e cilësuan të papranueshëm dënimin e zyrtarëve pasi, sipas tyre, statistika në vetvete është subjektive dhe për pasojë dënimi duhet të jetë administrativ.

Por opozita tha se nuk tërhiqet nga ky kusht pasi synohet të parandalohet manipulimi i shifrave ku bazohet hartimi i politikave dhe i programi i qeverive. “Ne sot duhet të ecim me miratimin në tërësi sepse vetëm kjo na ka ngelur dhe ti japim angazhimin personal të Komisionit të Ligjeve, komisioneve të tjera që lidhen dhe të kërkojmë angazhimin e institucioneve që ne çështjen e statistikave, ta trajtojnë në të gjithë fushat, por kushtëzimin e quaj të pavend dhe në kundërshtim me të gjitha proceset që ne po ndjekim”, tha kryetari i komisionit, Ilir Rusmali.

“Ne se votojmë nëse s’vjen mendimi nga komisioni i Integrimit dhe ai i Ekonomisë. Ne s’po themi ta bllokojmë, se e kishim të thjeshtë. Nuk do rrinim me orë të tëra, por për efekt të debatit, për respekt edhe të propozuesit, ne u ulëm e pamë me orë të tëra. Tani ne themi: Merreni këtë, çojeni te komisioni, të bëjë mbledhje komisioni dhe nëse arrijnë dhe ata në të njëjtin përfundim, patjetër. Nëse na thoni, shiko ne s’duam se ne dimë ta bëjmë kështu, atëherë bëjeni”, reagoi nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Pavarësisht përpjekjeve të dy palëve për të gjetur një zgjidhje duke kërkuar ekspertizën e komisioneve të tjera, si Rusmali ashtu dhe Xhafaj nuk gjetën kompromis për mënyrën se si ky amendament mund të diskutohej nga palë të tjera. Demokratët shprehën mendimin për të diskutuar amendimin për statistikat në një kohë të dytë, ndërsa socialistët kërkuan që dënimi për falsifikuesit e statistikave të miratohet bashkë me paketën në tërësi. Me herët demokratët rrëzuan dhe një tjetër amendament të socialistëve, i cili lidhej me vënien para përgjegjësisë penale individualisht e jo si organ kolegjial të ministrave dhe Kryeministrit për vendimet që firmosin në kundërshtim me ligjin. Por për demokratët amendamenti i opozitës u vlerësua si antikushtetues.

 

Informacionet sekrete do kalojnë nga zyra e Berishës

Komisioni Parlamentar i Sigurisë miratoi me 10 vota pro dhe 9 kundër, kalimin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nën varësinë direkt të kryeministrit. Miratimi i këtij vendimi u krye pa konsensus dhe me kundërshtimet e opozitës, por numrat në Kuvend i dhanë të drejtë mazhorancës.

“Në patologjinë e kryeministrit, të gjithë pushtetet duhen mbështjellë në duart e tij. Shqetësimi ynë ka të bëjë me akumulimin e pushteteve, ku në rastin në fjalë nga mbikëqyrje kolegjiale që i është bërë më tani DSIK-ut, tashmë do i nënshtrohet një kontrolli individual. Është i njëjti precedent si në rastin e grumbullimit rreth vetes së tij të INSTAT-it apo prokurimeve Publike. Nga këtu duket qartë kjo mani e Berishës për akumulimin në duart e tij të gjitha pushtetet e mundshme dhe të pamundshme”,- tha anëtari i komisionit, Ilir Gjoni. Ndërsa përfaqësuesit e qeverisë argumentuan se ndryshimi që kërkohet është vetëm teknik dhe nuk lidhet me marrje të kompetencave. Sipas qeverisë, ndryshimet saktësojnë se informacionet që përbëjnë sekret shtetëror t’i shkojnë kryeministrit dhe jo thjesht Këshillit të Ministrave, siç ka qenë deri tani. “Relacioni në këtë pjesë, ku përmendet varësi të Këshillit të Ministrave në pamundësi të varësisë nga Këshilli i Ministrave ka parasysh të shmangë ndoshta ndonjë ide, që ky institucion të jetë në varësi të Këshillit të Ministrave, ndërsa “de facto”, që kur është krijuar, është përcaktuar Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është person juridik, buxhetor, në varësi të Kryeministrit”, u shpreh Rezart Veseli, drejtori juridik i Kryeministrit.

 

Rama: Nuk tërhiqemi nga Kodi Penal, të shtyhet afati

Partia Socialiste nuk do të heqë dorë nga kërkesa për të përfshirë në Kodin Penal nenin që parashikon dënimin e falsifikimit të statistikave zyrtare dhe për këtë arsye do të kërkojë shtyrjen e votimit deri në marrjen parasysh të propozimit të tyre. Qëndrimi i socialistëve është vendosur dje në mbledhjen e grupit të deputetëve. Burime nga ky takim bëjnë të ditur për “Shekullin” se gjatë mbledhjes kanë shkuar edhe anëtarët socialistë të Komisionit të Ligjeve, të cilët sapo kishin mbaruar mbledhjen në Kuvend. Nënkryetari socialisti i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, ka informuar deputetët mbi atë që ndodhi në mbledhje, ku mazhoranca nuk ka pranuar propozimin e opozitës për dënuar falsifikimin e statistikave zyrtare. Më tej, ai ka informuar deputetët se Partia Demokratike ka votuar me nëntë votat e saj Kodin Penal, duke anashkaluar kërkesën e socialistëve dhe duke arsyetuar se do t’ia përcjellin draftin Komisionit të Ekonomisë dhe Integrimit.

Pasi është dëgjuar ky raportim, mësohet se ka qenë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka marrë fjalën dhe ka propozuar qëndrimin që do të mbajë opozita për këtë çështje. Të njëjtat burime nga ky takim sqarojnë se kryesocialisti ka vlerësuar se deputetët socialistë duhet të kërkojnë në Kuvend shtyrjen e datës së votimit të Kodit Penal derisa mazhoranca të marrë parasysh propozimet e tyre. Sipas kryesocialistit, propozimi për të dënuar manipulimin e statistikave është shumë i rëndësishëm dhe s’mund të lihet mënjanë nga grupi parlamentar socialist. Më herët, në komunikimin e tij përpara mediave, Edi Rama, paralajmëroi humbjen për të tretën herë radhazi të statusit të vendit kandidatit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ajo çka kurrë s’duhet të kishte ndodhur po ndodh. Shqipëria jo vetëm parakalohet nga Serbia në një proces ku objektivisht gjendej shumë më përpara disa vite më parë, por rrezikon të mbetet përsëri jashtë duke dështuar si askush tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve të dala nga shpërbërja e perandorisë komuniste, për të tretën herë radhazi. Dhe për të tretën herë radhazi kryeministri po mundohet ta fshehë dështimin e tij shembullor duke ngritur mjegullën e fajësimit të opozitës”,- paralajmëroi Rama. Por, sipas tij, opozita i ka bërë një për një detyrat e shtëpisë që Komisioni Europian ka përcaktuar për forcat politike në parlament dhe ndërkohë qeveria s’ka bërë ende asnjë nga detyrat e saj të drejtpërdrejta.

 

Debatet e plota në mbledhjen e djeshme

Ermonela Felaj: Ne propozojmë një ndryshim në kreun që lidhet me falsifikimin e statistikave zyrtare. Mendojmë se janë shumë të rëndësishme për të ndërtuar politikat e këtij vendi.

Brikena Kasmi (Ministria e Drejtësisë): Nuk ka asnjë lloj situate që të ketë sjelle probleme që ne të futemi në situata të papara do thosha për legjislacionin tonë penal dhe të shpikim një dispozitë për t’ia veshur një situate që nuk ka ndodhur.

Fatmir Xhafaj: Unë i mirëkuptoj dhe këto emocione tani se mund të jenë dhe pozitive, por nuk mendoj se është pozitive cinizmi dhe ironia për kolegët.

Fatos Hoxha: Është rilindje.

Fatmir Xhafaj: Të gjithë kemi nevojë për një rilindje. Do të jap një program. Ai që bën statistika me qëllim ose me dashje qoftë në bankë apo në INSTAT, ku do që ligji e njeh si subjekt të mendohet mirë.

Viktor Gumi: Nga e gjithë analiza që i bëhet këtyre dispozita ekziston një dokument mbi të cilën ndërhyhet dhe mbi këtë dokument kapet falsifikimi. Por ka edhe gabime…

Fatmir Xhafaj: Viktor ne s’po themi për gabime, por po themi kur ka dalë një rezultat dhe deformohet në mënyrë të qëllimshme.

Ilir Rusmali: Kriminalizimi i statistikave zyrtare është shumë i gabuar. Unë dal me shpirt dhe mbledh mollë dhe nuk jam vetëm. Jemi në plantacion 27 veta dhe unë që mbaj mollët më duhet të mbaj përgjegjësi për treguesit ekonomikë. Ç’faj kam unë i shkreti, mollë mbledh.

Fatmir Xhafaj: Ne s’dëshirojmë të fusim askënd në burg se punon tek statistika tek INSTATI, tek Ministria e Financave apo tek Kryeministria meqë e keni merak. Ne duam të parandalojmë të gjithë ata zyrtarë që mbi ndershmërinë e punonjësve të statistikave duan të spekulojmë për të mbrojtur karrigen e tyre, për interesa politike të ditës dhe për këto motive kemi propozuar një dispozitë

Ilir Rusmali: A mund ta mbyllim këtu. Kjo është një histori…..

Gent Strazimiri: Nuk mund të fusim në burg dokumentet.

Fatmir Xhafaj: Ore ne kur shkelen rregullat nuk fusim në burg makinë e Ilir Rusmalit, por fusim Ilir Rusmalin që e nget në gjendje të dehur dhe ka hedhur makinën në humnerë..

Gent Strazimiri: Po re po. Por Ilirin e fusim në burg në bazë të Kodit Penal apo Ajror?!

Ilir Rusmali: Unë kërkova që ne të mund të merremi seriozisht me gjënë dhe të merremi me metodologji shkencore. Kërkova që të orientohemi me direktivën e BE.

Vasilika Hysi: Është për metodologjinë, jo për falsifikimin a jeni në vet….Ilir më fal. Ç’është….

Ilir Rusmali: Pse kjo me çdo kusht. Keni hallin e statistikave në Shqipëri?

Vasilika Hysi: Te falsifikimit e kemi.

Ilir Rusmali: Më çmendi kjo. Më habiti kjo fare. Fakti që insistohet më bën të dyshoj se ju nuk doni miratimin Kodit. Po s’u miratua, ne si miratojmë Kodin.

Famir Xhafaj: Ndërhyrjen e marr shumë sinqerisht. Tani ajo që po them për mua është e padurueshme gjuha që përdor Rusmali.

Ilir Rusmali- Ky komision me shumicë votash është kundër këtij formulimi. Ky komision mendon se lënda ka nevojë për trajtim të thelluar dhe profesional të ekspertëve të fushës dhe s’mund të jetë pjesë e kësaj pakete

Fatmir Xhafaj: Ne se votojmë nëse s’vjen mendimi nga Komisioni i Integrimit dhe i Ekonomisë.

Ilir Rusmali: Dakord e hedhim në votim në tërësi. 9 me 5 kalon….

 

  (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 10:43 / Kliko për më shumë >>>

Raporti, konkurset për punësimet në shtet, sa për sy e faqe

Emirjon Senja

Institucionet shpallin herë pas here konkurse për plotësimin e vendeve bosh që kanë në organigramën e tyre. Pas organizimit të konkursit, vendin e punës e merr në pjesën dërrmuese të rasteve një person i cili ka qenë më parë në marrëdhënie pune nëpërmjet një kontrate të përkohshme duke spostuar të gjithë kandidatët e tjerë që kanë marrë pjesë në garë. Në këtë mënyrë, duket se konkurset për vende pune në administratë zhvillohen në pjesën më të madhe

thjesht për të qenë në rregull me ligjin, pasi në përfundim fituesi del një kandidat i paracaktuar. Ky është një fenomen që konstatohet gjerësisht në institucionet shqiptare, ku rekrutimi i punonjësve nuk bëhet sipas meritës, por gjithnjë fiton një kandidat i përzgjedhur më parë.

Komisioni i Shërbimit Civil sapo ka dërguar në Kuvend raportin vjetor të vitit 2011 në të cilin ndër të tjera, pasqyrohet edhe problematika zhvillimit të konkurseve në mënyrë fiktive për vendet e lira të punës në institucionet e vendit.

Pjesë kontrolleve për vitin 2011 kanë qenë Ministria e Financave; Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Punës; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Jashtme; Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Thuajse në të gjitha këto raporte, KSHC vëren shkelje të ligjit në drejtim të përzgjedhjes së punonjësve të rinj, e cila sipas rregullave duhet të bëhet nëpërmjet konkursit të hapur dhe sipas meritës.

Si funksionon skema?

Praktika është e njëjtë shpjegon KSHC thuajse në të gjitha institucionet që janë hasur problematika të tilla: Në rastet kur ka vende pune të lira, institucioni emëron fillimisht një person të caktuar me një kontratë të përkohshme duke e justifikuar me nevojat e menjëhershme të institucionit. Sipas rregullit, personi duhet të rrijë deri në plotësimin e vendit të punës nëpërmjet konkursit. Sipas ligjit, punësimi i një personi në administratën publike nuk mund të bëhet për një kohë më të gjatë se tre muaj me kontratë. Menjëherë pas kësaj duhet të kryhet plotësimi i vendit bosh duke i dhënë punonjësit të e përzgjedhur statusin e nëpunësit civil. “Konstatohet se në të gjitha konkurrimet e zhvilluara kanë fituar punonjësit, të cilët kanë qenë të emëruar nëpërmjet kontratave si dhe duke kryer efektivisht detyrat e këtij pozicioni edhe gjatë kryerjes së procedurës së konkurrimit”, – shprehet KSHC në raportin e Mbikëqyrjes në Ministrinë e Jashtme. Por shembulli tipik janë Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Mbrojtjes. “Në Ministrinë e Mbrojtjes, gjatë këtij viti janë zhvilluar 46 konkurrime, ku kanë fituar ata që kanë qenë më parë në marrëdhënie pune kontraktuale me pozicionin. Po kështu, edhe në 17 raste në Ministrinë e Mjedisit”, – vijon raportimin KSHC-ja.

 

Mungesa e besimit, bie cilësia e kandidatëve

Fenomeni ku në rastet e konkurseve për t’u bërë pjesë e administratës fiton një person i paracaktuar ka dekurajuar qytetarët e tjerë që janë të interesuar për t’u punësuar. Një gjë e tillë pasqyrohet gjerësisht edhe në raportin vjetor të Komisionit të Shërbimit Civil për vitin 2011. “Pjesëmarrja e kandidatëve në të gjitha konkurrimet është në nivelin më të ulët të mundshëm. Tashmë rezulton se në përgjithësi, konkurrimet zhvillohen me 4-5 konkurrentë duke ulur ndjeshëm cilësinë e kandidatit që po përzgjidhet për shkak të listës së shkurtër të kandidatëve pjesëmarrës. Për të gjitha këto arsye që po përmendim, rezulton se besueshmëria ndaj procesit aktual të rekrutimit ka renë ndjeshëm, gjë që pasqyrohet edhe në raste e dështimit të procedurave të konkurrimit”, – shpjegon në raportin e tij KSHC.

Madje ky institucion ka ofruar një shembull tipik për të parashtruar këtë situatë. Mësohet se Ministria e Drejtësisë ka disa muaj që po kërkon një “Drejtor të Përgjithshëm të Planifikimit Shëndetësor”, por konkurset për gjetjen e tij kanë dështuar pasi personat që i përkasin këtij profesioni nuk kanë pasur kurajën të hyjnë në garë duke besuar se edhe ai vend është i zënë nga dikush tjetër.

Ulja e interesit për të konkurruar për t’u bërë punonjës të administratës bën ndërkohë që punonjësit e përzgjedhur të mos jenë më të mirët e mundshëm. Një shembull për këtë na vjen nga Ministria e Financave, të cilin KSHC e ka pasqyruar në raportin e tij të mbikëqyrjes në këtë institucion. Financat ishin duke kërkuar në punonjës për një pozicion të caktuar dhe shpallin konkurs. Pas testimit, kandidati i parë është vlerësuar me 69 pikë nga 100 të mundshme, i cili është shpallur edhe fituesi. Vendi i dytë ka marrë vetëm 18 pikë nga 100 të mundshme. Vendi i tretë është vlerësuar me 10 pikë, kurse kandidati i katërt, ka marrë vetëm 3 pikë nga 100 të mundshme.

Kjo situatë sipas KSHC-së ka sjellë si pasojë marrjen në punë të nëpunësve, jo sipas parimit të

barazisë dhe kriterit të meritokracisë. “Kjo ka sjellë humbjen e besimit të fuqisë së lirë të punës, duke u shfaqur kjo në formën e humbjes së interesit e mospjesëmarrjes në konkurrime në rastet e shpallura e për pasojë kandidatë jo cilësorë. Personat e interesuar e konsiderojnë të kotë pjesëmarrjen në konkurrim, pasi ai kryhet vetëm si procedurë që të ligjërohet mbajtja në punë e personit të marrë me parë me kontratë”- shpjegon Komisioni i Shërbimit Civil. E njëjta situatë ndërkohë vërehet edhe tek institucionet e tjera të mbikëqyruara gjatë vitit të shkuar, siç janë Ministria e Mjedisit, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Ministria e Punës, etj. (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 10:43 / Kliko për më shumë >>>

Lirohet i riu i letrave anti-ruse, por Ambasada denoncon sërish

Dashamir Biçaku

Bledar Pojana, djaloshi 27 vjeçar që alarmoi ambasadën e Federatës Ruse në Tiranë banon në rrugën “Dëshmorët e Fekenit”, në zonën e ish- serave, në rrugën e Kavajës. Ai banon në një shtëpi njëkatëshe të thjeshtë bashkë me prindërit, gjyshërit dhe vëllezërit e tij, Astritin dhe Rolandin. Nga jashtë murit të shtëpisë, nuk mund të dallosh thuajse asgjë, veç dritës së fortë të televizorit që ndodhet në një dhomë në krahun verior të shtëpisë. Degët e një hardhie rrushi janë hapur thuajse në të gjithë oborrin e shtëpisë.

Ziles së portës së jashtme fillimisht nuk i përgjigjet askush. Por pas tre ose katër minutash në derë shfaqet një burrë i shëndoshë me mustaqe, me flokët të shkurtër të thinjur me fytyrë të mbushur. “Urdhëroni, kush jeni, kë kërkoni?”,- thotë burri i veshur me një pulovër leshi. Është babai i Bledarit, Hysniu.

Pas pak sekondash aty afrohen dy gra, njëra e moshuar dhe tjetra pak më e re. Është gjyshja Zelihaja dhe nëna, Xhuvane. Por pa pritur përshëndetjen e mikut, i ati i Bledarit, Hysniu ta pret: “Mos je gjë gazetar, çfarë doni pse keni ardhur? – Ai kërkon largimin nga dera e shtëpisë.

Ajo që ka ndodhur dhe sikleti me policinë i ka lënë shije të hidhur 60 vjeçarit, i cili para më shumë se 10 vitesh ndërtoi një shtëpi në zonën e ish- serrave, ku tashmë jeton me prindërit, të shoqen dhe tre djemtë. “Jemi të shqetësuar për djalin. Por ai nuk ngacmon njeri”, – thotë gjyshja, Zelihaja E ëma e Bledarit, qetëson bashkëshortin dhe shton: “Policia e ka arrestuar kot. E morën mbrëmë na njoftuan dhe më pas e sollën në mes të natës”. I ati mbyll portën e shtëpisë akoma pa mbaruar Xhuvane fjalën e fundit duke shfryrë nga inati.

Policia e Tiranës ka lënë të lirë të riun e arrestuar dy ditë më parë me akuzën se kishte kërcënuar Ambasadën e Rusisë në Tiranë. Policia deklaroi se “ai ka probleme mendore”, version i zakonshëm në rastet kur çështja duhet të mbyllet shpejt. Por askush nuk i kthen përgjigje pyetjes, nëse është i sëmurë, pse nuk është atje ku mbahen të sëmurët dhe pse është dashur të lëvizë Anti-Terrori për të kryer këtë arrestim.

Ambasada Ruse: Pas lirimit të të riut, kemi marrë kërcënim tjetër me telefon

TIRANË – Por pak orë pas lirimit të të riut të arrestuar, zyrtarët e Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë kanë depozituar një tjetër denoncim në policinë e Tiranës. Ata thonë se janë kërcënuar sërish. Këtë herë në denoncim thuhet se kërcënimi ka ardhur me telefon.

Në lidhje me kërcënimet me letra policia e Tiranës arrestoi për llogari të antiterrorit Bledar Pojanën, 28 vjeçarin nga Ndroqi, me banim në rrugën “Dëshmorët e Fekenit”, por… Stafi ka denoncuar se përmes telefonit është shqetësuar personeli i ambasadës.

Sërish policia e kryeqytetit ka shkuar dje në Ambasadën e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë duke verifikuar denoncimin. Hetuesit kanë marrë dëshminë e personit që i është përgjigjur telefonit.

Denoncimi i kërcënimeve me telefon është i treti brenda dy muajve nga Ambasada e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë. Në fillim të janarit zyrtarët e kësaj ambasade u ankuan në polici se dikush u kishte hedhur fishekzjarre në oborr, duke krijuar panik tek personeli. Më pas denoncuan një person të veshur me rroba ushtarake dhe me një shall të kuq që dorëzonte letra kërcënuese dhe tani denoncuan kërcënimin e tretë. Si pasojë e këtyre ngjarjeve policia e Tiranës ka shtuar masat e sigurisë në territorin e jashtëm të ambasadës me qëllim shmangien e problemeve të ndryshme, të paktën në perimetrin e jashtëm. d.biçaku

  (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 10:22 / Kliko për më shumë >>>

Gjirokastër, kapen 100 kg marijuanë

Një operacion i policisë së Gjirokastrës është finalizuar me sekuestrimin e 100 kilogram lëndë narkotike marijuanë, ndërsa në kërkim janë shpallur dy persona. Sipas uniformave blu, gjatë operacionit të koduar “Ndjekja” është sekuestruar edhe 3 kg marijuanë e papërpunuar në formën e çokollatës.

Lënda narkotike, e cila po transportohej nga Lazarati drejt Tiranës, është kapur në vendin e quajtur përroi i Salarisë.

Sipas njoftimit të policisë, dy transportuesit, të cilët udhëtonin me një makinë tip Fuoristradë me targa gjermane nuk kanë ndaluar në post-bllokun e ngritur në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Ata janë larguar me shpejtësi dhe më pas e kanë braktisur makinën bashkë me ngarkesën e lëndës narkotike. / Entela Bani (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 10:22 / Kliko për më shumë >>>

Pronat, debati transferohet edhe në Komisionin e Ekonomisë

E. Senja

Projekti për krijimin e një regjistri elektronik të pronave në Shqipëri është bërë shkak për debate dhe akuza të ndërsjellta midis deputetëve të majtë dhe atyre të djathtë, dje në Komisionin e Ekonomisë. Projekti financohet me fondet e donatorëve. Gjatë shqyrtimit të propozimit të qeverisë, deputeti Arben Malaj kërkoi që të ndërmerrej një hetim i plotë mbi projektet që financohet nga donatorët e huaj duke akuzuar të djathtët për abuzime me këto para. “Komisioni duhet t’i drejtohet me një kërkesë Kontrollit të Lartë të Shtetit që të hetojë të gjitha donacionet për këtë ligj dhe projektet që ka paguar Banka Botërore e që paguan ende Bashkimi Europian. Duhet të bëhet analiza përse nuk kanë dhënë efikasitet masat”, – tha Malaj.

Deputetit të majtë iu përgjigj aty për aty Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Edmond Spaho, i cili tha se akuzat e Malajt ishin të pabazuara dhe insinuata dhe se bashkëpunimi me donatorët ka qenë shumë i mirë deri më tani. “Mendojmë se ndihma që kanë dhënë donatorët ka qenë efektive, bujare dhe madje duhet thënë që duhet t’i jemi mirënjohës për këtë. Paratë janë përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme”, – tha Spaho. Më pas në diskutim u përfshi edhe deputeti Flamur Noka, i cili është gjithashtu edhe Sekretar Organizativ i PD-së. Sipas tij, gjatë periudhës së qeverisjes së PS-së ka pasur mijëra tituj pronësie falso. Malaj nga ana tjetër iu përgjigj Nokës se problemet me pronat përmenden në të gjitha indekset për Shqipërinë duke u renditur me pikët më të ulta.

 

  (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 10:22 / Kliko për më shumë >>>

Shtrenjtimi i ushqimeve, Konkurrenca: Nuk gjetëm shkelje në treg

E. Senja 

Rritja e beftë e çmimeve të ushqimeve gjatë vjeshtës së vitit 2010, e cila vijoi edhe në muajt e fillimit të vitit të shkuar bëri që në atë periudhë, Autoriteti i Konkurrencës të hapë një hetim mbi ecurinë e këtij tregu. hetimi do të merrte në shqyrtim tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të produkteve të konsumit të gjerë, siç janë orizi, sheqeri, si edhe vaji vegjetal. Ishin pikërisht këto ushqime që pësuan edhe rritjen kryesore gjatë asaj periudhë duke mos përjashtuar edhe miellin. Qytetarët u detyruan që të shpenzojnë më shumë para nga xhepat e tyre krahasuar me muajt e mëparshëm për të blerë të njëjtën sasi orizi apo sheqeri.

Hetimi do të shqyrtonte marrëdhëniet e kompanive importuese me njëra-tjetrën dhe faktin nëse ekzistonte ndonjë marrëveshje e fshehtë midis tyre, gjë e cila çonte në shtrenjtimin e produkteve. Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës deklaron në raportin vjetor të tij, të dorëzuar sëfundmi në Kuvend se nuk ka hasur në shenja të kufizimit të konkurrencës apo të marrëveshjeve midis kompanive në këtë treg si edhe sjellje të ngjashme në treg, të cilat do të ndikonin në shtrenjtim. Në përfundim, Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mbyllë hetimin. “Komisioni i Konkurrencës vendosi mbylljen e hetimeve paraprake në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të produktit oriz, sheqer, dhe në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të vajit vegjetal, si edhe vazhdimin e monitorimit të këtyre tregjeve”, – shpjegohet në raport.

Krahas hetimit të zhvilluar në tregun e këtyre ushqimeve, Autoriteti i Konkurrencës ka monitoruar edhe importin edhe prodhimin e miellit dhe grurit, në të cilit po ashtu deklaron se nuk ka hasur në praktika të kufizimit të konkurrencës dhe rritjes abuzive të çmimeve.

Të gjithë konsumatorët u përballen me një rritje të menjëhershme të çmimeve të sheqerit dhe orizit gjatë kësaj periudhe me mesatarisht 30 deri 40 lekë për kilogram, kurse çmimi i vajit kërceu në mbi 30 lekë për litër. Rritja e filluar në vjeshtën e vitit 2010 vijoi edhe në fillim të vitit 2011 duke arritur kulmin në muajin shkurt gjatë të cilit inflacioni arriti në 4.5 për qind.

  (Shekulli Online)

Më 29/02/2012 - 10:22 / Kliko për më shumë >>>
shqiperia
[Lajmet nga agjencite shqiptare te lajmeve]
...lajmet e fundit percillen nga agjencite kryesore te lajmeve shqiptare Noa, Atsh, Balkanweb etj.


 

 


Site Meter