shqiperia
...lajmet e fundit percillen nga agjencite kryesore te lajmeve shqiptare Noa, Atsh, Balkanweb etj.

/ Publikimi: « para-ardhes pas-ardhes »

“Lumturi ishallah”

Albina Hoxha

“Mami do ta lajmë bashkë lulen”?! Kështu i drejtohet 31-vjeçares Laureta Borri i biri 5-vjeçar. Së bashku ujisin “pemën e jetës”, e cila kërkon një mënyrë të veçantë për këtë proces: fillimisht gjethet, më pas trungun dhe në fund rrënjët. Këtë Bjorni e quan larje. “Pema e jetës” për Lauretën, e cila prej vitesh kujdeset për lulet në dyqanin “Shtëpia e luleve”, është e veçantë dhe shumë e dashur e që i shkakton ndjesi të ndryshme sa herë që e shikon. “Është lule e veçantë jo nga gjethet dhe lulet që çel, por nga trungu. Nganjëherë më duket si tigër. Dhurohet për çifte të sapomartuarish apo për shtëpi të reja”, tregon Laureta.

Shkollën e lartë 31-vjeçarja e ka mbaruar për gjuhë-letërsi, por ka zbuluar që lulet janë pasioni i saj i vërtetë. Tregon se lulet në bahçen e shtëpisë e kanë tërhequr gjithmonë dhe se një “lule fasule” e cila kishte mbuluar tërësisht murin me gjethet e saj, e mahniste.

Përkujdesja për to është magjike: “Lulet duan shumë kujdes, sepse pavarësisht se nuk flasin, nuk ankohen dhe nuk kërkojnë asgjë, ato jetojnë dhe gjithçka që jeton, kërkon kujdes që të mos vdesë”, flet plot dashuri Laureta. Dikush mund të mendojë se lulet janë thjesht të bukura, por ja që ajo s’ndan të njëjtin mendim. “Për mua, ato janë shprehëse të çdo lloj emocioni. Një lule do të zbuste zemrën e gjithkujt”. Punën e bën me shumë kënaqësi. Thotë pa drojë dhe me sytë që i shkëlqejnë se në atë që bën “ka shumë ndjenjë”. Komunikimi me njerëzit është shumë i rëndësishëm. Fakti që ata besojnë në aftësitë e saj për të krijuar me lulet një dhuratë për dikë të dashur, e bën të ndihem mirë. Po fundja, siç edhe i kanë thënë: “Kush nuk do t’u besonte syve që shndrisin në momentin që shohin një lule?!”

Dhe Laureta është e veçantë. Ka respekt dhe përkujdesje për çdo klient të vetin. Në kompjuter mban një dosje ku ruan të gjitha të dhënat e klientëve, data të rëndësishme për ta, duke i kujtuar me dhurata simbolike. “Është e thjeshtë të kesh një klient, por është e vështirë ta mbash atë. Unë nuk i shoh thjesht si të tillë. Dua që me ta të kem një lidhje të ngrohtë dhe miqësore. Mbi të gjitha, dua që të kuptojnë botën e luleve, rëndësinë e tyre… gjithçka që ka lidhje me to. Mërzitem kur dikush i përdor thjesht si një dhuratë vetëm kur s’ka nga t’ia mbajë”.

Për Lauretën dasmat kanë një ndjesi tjetër. “I trajtoj me shumë dashuri, kompozimet i bëj në forma të ndryshme, duke u munduar të shpreh përmes tyre brendinë e çiftit, të transmetoj ndjenjat e tyre, sepse këtë e bëjnë të mundur vetëm lulet”, thotë ajo. Pastaj kujton rastin e një burri rreth të 45-tave, i cili mbërriti një ditë në dyqan dhe mori një lule të çdo lloji, u deshën dy persona për ta lidhur buqetën. “Nuk kam dhuruar asnjëherë lule dhe dua që kjo dhuratë të mbahet mend”, kujton Laureta fjalët e burrit. Dhe ishte kthyer sërish. Menjëherë sapo kishte parë emocionet që bashkëshortja e tij kishte përjetuar prej luleve.

“Këto momente më bëjnë të lumtur. Nuk bëj dot pa to”, shprehet ajo. Detajet për Lauretën janë shumë të rëndësishme jo vetëm në punën, por edhe në jetën e përditshme. Shprehja që u thotë klientëve nuk është nga ato që dëgjojmë zakonisht. Fjalët “Lumturi ishalla” mbështillen edhe me ëmbëlsinë e buzëqeshjes së Lauretës, pjesë e karakterit të saj.

Gjëja më e rëndësishme për 31-vjeçaren është që çdo njeri të ndjekë ëndrrat dhe të realizojë dëshirat e tij. “Në çdo moment duhet të të rrahë zemra fort për atë që bën, si në punë, ashtu edhe në familje”. Dhe Laureta e ka gjetur se çfarë e bën zemrën e saj të shpejtojë tik-taket.

Momente të vështira

Momenti më i vështirë për të ka qenë kur për arsye të të tretëve u largua nga puna, por tani është shumë e lumtur me atë që bën. Mërzitet shumë kur përpara ka sy të mbushur me lot, zëri që u dridhet dhe në fund duar të ftohta që zgjaten për të marrë lulet. “E kuptoj menjëherë kur ka raste vdekjesh dhe kjo më bën të dridhem. Nuk dua t’i ngacmoj më tepër… jeta është kaq e shkurtër…”

Emri: Laureta Borri,

Vendlindja: Skrapar,

Mosha: 31 vjeçe

Laureta Borri jeton në Tiranë, është e martuar dhe ka një djalë. Ka mbaruar shkollën e lartë në degën gjuhë-letërsi, profili letërsi. Për tre vite ka punuar në këtë drejtim, por më pas është shkëputur dhe iu është përkushtuar luleve. Kur flet për to i shkëlqejnë sytë. Në jetë ka dy dashuri të mëdha, familjen dhe lulet.

  (Shekulli Online)



Publikuar në orën 9:1828/01/2012
blog comments powered by Disqus

 

 


Site Meter