Efektivët e Gardës së Republikës kanë qëlluar për të vrarë më 21 janar të vitit 2011 dhe jo për të trembur protestuesit. Në këtë konkluzion kanë arritur hetuesit e prokurorisë në lidhje me pesë personat që kanë mbetur të plagosur gjatë protestës së 21 janarit. Edhe vetë të plagosurit kanë dëshmuar në prokurori se plumbat që i kanë qëlluar kanë ardhur nga brenda rrethimit të kryeministrisë.
Sipas prokurorisë, të plagosurit Ilia Papa, Erald Bisha, Ilia Qesku, Sokrat Gode dhe Fatos Mahmutaj, në dëshmitë e tyre dhënë para oficerëve të policisë, kanë akuzuar direkt forcat e Gardës së Republikës si autorë të tentim vrasjes së tyre. “Nga informacioni i marrë kemi konstatuar se është plagosur po atë ditë edhe 23 vjeçari nga Laknasi, Artes Dybeli, por, nga kërkimi i bërë nuk është bërë i mundur gjetja dhe marrja e dëshmisë së tij, pasi kemi mësuar që është larguar jashtë shtetit për kurim dhe nuk është kthyer”,- thuhet nga të dhënat e prokurorisë. Ndërkaq, të pesë të plagosurit e tjerë që tashmë janë pyetur, ndër të tjera janë shprehur se plumbat nga të cilët ata kanë pësuar lëndimet trupore kanë ardhur nga brenda rrethimit të ndërtesës së Këshillit të Ministrave.
“Të plagosurit gjatë marrjes në pyetje, kanë treguar vendet ku ndodheshin në momentin e goditjes duke treguar kështu edhe pozicionin nga mund t’i ketë ardhur plumbi që i shkaktoi plagë në trup, që çuditërisht të gjithë ishin tejshpues. Pra asnjë plumb nuk ka mbetur në trupin e të plagosurve. Këto dëshmi tashmë janë administruar në dosjen hetimore dhe ndodhen në fashikullin hetimor, ku pritet që edhe për këta plagosje të arrestuarit e ndaluar dhe ata që janë nën hetim, të akuzohen për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë”,- thuhet nga të dhënat e prokurorisë. Të pesë të plagosurit kanë plagë të ndryshme në trup, të cilat i kanë marr nga armët e zjarrit në vende të ndryshme të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. “Asnjëri nga të plagosurit me armë zjarri që tashmë janë pyetur, nuk rezulton se është plagosur brenda rrethimit të kryeministrisë. Të pesë të plagosurit në momentin e plagosjes kanë qenë në bulevardin “dëshmorët e Kombit”, por në vende të ndryshme me njëri-tjetrin”,- thuhet nga të dhënat e grupit hetimor.
Ndërsa, reporteri i televizionit ABC, i cili tashmë ndodhet në Belgjikë si azilant politik, sipas prokurorisë, ka qenë fare afër të vrarit Hekuran Deda. “Plumbi që plagosi reporterin Fatos Mahmutaj në dorë është po i njëjti plumb që i solli vdekjen demonstruesit Hekuran Deda, pasi ishin pranë njëri-tjetrit të hipur në podiumin e ngritur nga një televizion kombëtar pranë një pemë, anash portës hyrëse të rrethimit të kryeministrisë”,- thuhet nga prokuroria. Për këtë vrasje, tashmë prokuroria ka ngritur dyshime logjike se ajo mund të jetë shkrepur nga arma e të arrestuarit Agim Llupo, që ndodhet i izoluar në qeli nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Por, për plagosjen e katër personave të tjerë, organi i akuzës ende nuk ka arritur në një konkluzion konkretë, pasi është në pritje të eksperimentit të vendit të ngjarjes që është kërkuar të kryhet nga agjentët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së) në versionin “tre dimensional”. Me kryerjen e kësaj ekspertize, hetuesit e çështjes mund të arrijnë në një përfundim se nga cili vend mund të ketë ardhur plagosja e tyre. Një gjë është e sigurt për hetuesit e çështjes, se akuza ndaj të dyshuarve është ajo e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” të katër personave; “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë ku për pasoj janë plagosur pesë persona dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e parashikuar na neni 79 pika dh/ ë, ku nëse cilësohen fajtor të dyshuarit rrezikojnë të dënohen jo më pak se 25 vite burg ose burgim të përjetshëm.
Vendndodhja e të plagosurve
Ilia Papa nga Saranda, i plagosur në krah ka dhënë dëshmi dhe tashmë ndodhet emigrant në Greqi
Erald Bisha nga Tirana, i plagosur në gjoks, ka dhënë dëshmi jeton në kryeqytet
Ilia Qesku nga Saranda, i plagosur, ka dhënë dëshmi por që tashmë ndodhet emigrant në Greqi
Sokrat Gode nga Berati, i plagosur në krahë, mendohet se ndodhet në Berat
Fatos Mahmutaj nga Tirana, i plagosur në dorë tashmë ndodhet në Belgjikë me statusin e azilantit
Artes Dybeli, nga Laknasi i Tiranës, i plagosur në qafë dhe shpatull, nuk dihet vendndodhja pasi nuk i është marr dëshmia
AKUZA
Vrasje në rrethana të tjera cilësuese
Vrasje me dashje:
Dh) kundër dy ose më shumë personave
ë) në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave
dënohet me burgim jo më pak se 25 vjet burg ose burgim të përjetshëm
Doshi, Baraj e Balla “kalojnë” në Këshillin e Mandateve
Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit miratoi dje me konsensus të plotë nisjen e procedurave për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Bare. Në mungesë të deputetëve, mbledhja zgjati vetëm pak minuta ndonëse të gjithë prisnin që të dëgjonin qëndrimin e tre të akuzuarve lidhur me kërkesën e prokurorisë për ngjarjet e 21 janarit. Deputetët për të cilët është kërkuar autorizim për procedim penal, nuk u paraqitën përpara Këshillit për të zhvilluar seancën dëgjimore, por me shkresë njoftuan Këshillin se nuk do ta shfrytëzonin këtë mundësi që i jep Rregullorja, por rezervonin të drejtën që shpjegimet e tyre t’ia paraqisnin seancës. Ata kanë shpjeguar se mbrojtjen do ta kryejnë përpara kolegëve të tyre në sallën e seancave plenare të Parlamentit.
“Nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës është paraqitur kërkesa për dhënie autorizimi për dhënie e procedimit penal ndaj meje Besnik Baraj, deputet i Kuvendit. Në shkresën tuaj, datë 22.01.12, jam njoftuar të paraqitem në Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet për të marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj kërkese. Mbështetur në pikën 2 të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit përmes kësaj shkrese ju bëj me dije se pranoj heqjen e imunitetit parlamentar dhe jam i gatshëm t’i nënshtrohem procedimit penal nga organi i prokurorisë”,- thuhet në letrën e dorëzuar nga deputeti Besnik Baraj. Të njëjtën përmbajtje kanë edhe letrat e dorëzuara nga deputetët Doshi dhe Balla. Tre deputetët socialistë kanë deklaruar se sqarimet rreth kërkesës së paraqitur nga Prokuroria do t’i paraqesin të enjten në seancë plenare. Kërkesa e tyre u pranua edhe nga mazhoranca.
Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet miratoi edhe relatorët që do të merren me hartimin e raportit që do t’i paraqitet deputetëve në seancë plenare ku do të kërkohet heqja e imunitetit për tre deputetët. Nga Partia Socialiste do të jetë Damian Gjiknuri ndërsa nga Partia Demokratike Viktor Gumi, të cilët do të merren me përgatitjen e raportit final. “Ajo që kanë shprehur deputetët nuk është thjesht dhe vetëm që në seancën plenare do të paraqesin mendimet e tyre se atë e rregullon një nen tjetër i rregullores… Të përgatitet raporti”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi. Pas dëgjimit të raportit të përgatitur nga dy relatorët dhe të sqarimit të tre deputetëve, parlamenti pritet që t’i hapë rrugë nisjes së hetimeve nga prokuroria. Rregullorja përcakton se të enjten votimi është i fshehtë. Të hënën Prokuroria e përgjithshme i akuzës i dërgoi Parlamentit një kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetëve Taulant Balla, Besnik Baraj dhe Tom Doshi duke i akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme.
Balla: Të hetohet Berisha dhe Basha
Pas autorizimit të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit për çeljen e rrugës së hetimit nga prokuroria, ka reaguar deputeti Taulant Balla. Deputeti socialist ka shprehur gatishmërinë për të lënë imunitetin dhe i ka bërë thirrje organit të akuzës që të realizojë një hetim të plotë. Nga ana tjetër ai kërkoi nisjen e hetimeve edhe për kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. “Ne jemi të gatshëm për të kontribuar në zbardhjen e krimit shtetëror të 21 Janarit. Në vijim të qëndrimit tonë në mbështetje të hetimeve të mëtejshme, sot shprehëm dakortësinë tonë lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit, për t’i lejuar kështu Prokurorisë një hetim të plotë. Po Saliu dhe Luli? A është i gatshëm Saliu të heqë edhe ai dorë nga imuniteti? Ripërsëris thirrjen që hetimi të përfshijë edhe urdhëruesit e plumbave kundër protestuesve. Ne duam drejtësi”, deklaroi deputeti socialist Taulant Balla.
Ina Rama-Jensen: Hetim të plotë e të gjithanshëm 21 janarit
Kryeprokurorja Ina Rama ka pritur dje në një takim ambasadorin e Danimarkës në Tiranë, Z. Karsten Jensen, vendi i të cilit ka kreun e radhës së Presidencës së BE. Burime nga ky takim pohuan dje se tema kryesore ishte pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe roli i tyre në forcimin e shtetit të së drejtës. Ambasadori Jensen vlerësoi performancën e prokurorisë shqiptare si një nga hallkat e rëndësishme në ruajtjen dhe zbatimin e ligjit. “Mbështetja tek ligji, zbatimi me rigorozitet i tij dhe shmangia e çdo ndikimi ekstraligjor nga organet e drejtësisë është një nga kushtet themeltarë të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë në vend. Në këtë aspekt u trajtuan dhe çështje të veçanta me të cilat ndeshet drejtësia shqiptare, hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i proceseve të ndryshëm, siç janë ato që lidhen me ngjarjet e 21 janarit, transparenca dhe efektiviteti në gjykim.
Në vijim të takimit midis Kryeprokurores Znj. Ina Rama dhe ambasadorit të Danimarkës, Z. Karsten Jensen, u trajtuan dhe çështje mbi zhvillimet aktuale. Në takim u diskutua rëndësia se secili institucion duhet dhe e ka për detyrë të punojë në mënyrë të pavarur, bazuar në ligj dhe jashtë çdo ndërhyrjeje, për të garantuar shtetin e së drejtës. Mbi këtë bazë, ambasadori shprehu mbështetjen e tij për Prokurorinë Shqiptare dhe punën profesionale të kryer prej saj si dhe vlerësoi bashkëpunimin midis institucioneve të akuzës të dy vendeve”,- thuhet në njoftimin për shtyp të këtij takimi.
Ina Rama: Pse kërkuam heqjen e imunitetit të deputetëve
Kryeprokurorja Ina Rama ka shpjeguar me detaje përse kërkesa për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të PS-së të akuzuar për nxitje të protestës është bërë pikërisht në këtë kohë. Ajo ka thënë se hetimi për këtë rast duhet të kryhej nga Policia e Shtetit, por ky institucion ka dërguar një shkresë ku thotë se nuk ka asnjë element që provon nxitjen e protestës. “Me Policinë e Shtetit në maj 2008 kemi firmosur një urdhër të përbashkët dhe kemi detajuar se si do të punohet për një ngjarje. Nëse çështja referohet nga policia e shtetit, i gjithë materiali i shkon asaj dhe në përfundim duhet të thotë se çfarë duhet të bëhet me këtë çështje. Sigurisht është prokurori përsëri shikon se çfarë të bëhet në fund. Por nëse policia mendon ndryshe nga prokurori, atëherë policia ankohet tek prokurori më i lartë. Tek 21 janari, për shkak të natyrës së çështje, për shkak se kemi një referim nga policia për këtë vendngjarje, e gjitha kjo i është ngarkuar Policisë së Shtetit përmes urdhrave verbalë dhe atyre formalë. Ne menduam se duheshin kryer hetime të mëtejshme, për të cilat na pengon imuniteti i deputetëve. Duke qenë se nuk mund të kryenim këto veprime vendosëm të kërkojmë heqjen e imunitetit”, ka thënë kryeprokurorja Ina Rama.
Çfarë u tha në mbledhjen e djeshme
Topalli: Pas mbledhjes së parë të mbledhjes së Këshillit për shqyrtimin për autorizimin për ndjekje penale të tre deputetëve, Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Baraj pak ditë përpara. Sot ishte lënë që në përputhje me rregulloren e Kuvendit, neni 115 pika 2 e saj, deputetët kishin të drejtë që të paraqisnin vërejtje apo shpjegimet e tyre në lidhje me kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për heqjen e imunitetit dhe autorizimin për ndjekje penale. Në fakt deputetët sot kanë paraqitur një letër, është e njëjta letër e firmosur nga tre deputetë të cilët shkruajnë se në seancën plenare të ardhshme do të japin shpjegimet e tyre në lidhje me kërkesën. Kështu që nga kjo mbledhje mbetet përfundimisht meqenëse është rënë dakord, që të kemi dy relatorë. Zoti Ruçi ka propozuar zotin Gjiknuri. Nga grupi i PD është zoti Gumi të cilët do të bëjnë raportin ti për t’ia paraqitur seancës plenare.
Ruçi: Dua të plotësoj vetëm një element, që ajo që është shprehur deputetët nuk është thjesht dhe vetëm që në seancën plenare do të paraqesin mendimet e tyre se atë e rregullon një nen tjetër i rregullores, sot në përputhje të atij neni që ju thoni deputetët kanë të drejtë me shkrim ose me gojë të paraqesin opsionet dhe deputetët kanë paraqitur një opsion që është japim dakordësinë e plotë këshillit të rregullores dhe të imuniteteve që të votojmë pro heqjes së imunitetit të tyre. Kështu që nuk kemi se çfarë shtojmë. Të përgatitet raporti.
Topalli: Të gjithë dakord. Atëherë këshilli i rregullores është dakord për autorizim për ndjekje penale të tre deputetëve, zotit Balla, Doshi dhe Baraj.
(Shekulli Online)