Nga Agron Duka*
Mjafton një rrugëtim në zonën bregdetare dhe informohesh saktë mbi gjëndjen reale të bujqësisë Shqiptare, jashtë kamerave, deklarimeve delirante të qeveritarëve të sotëm. Syri, ndeshet me një mozaik të zymtë tokash të braktisura, të abandonuara, të lëna djerrë, të e të pa shfrytëzuara nga mungesa e dorës së njeriut. Dihet, se vëndet e zhvilluara perëndimore si Franca, Gjermania, Italia etj, janë të tilla, se në radhë të parë kanë një bujqësi të përparuar dhe një fshat të qytetëruar. Në këtë kontekst, themi se, nuk mund të ketë Shqipëri të përparuar me fshat të prapambetur. Ky nuk është një sllogan, por një divizë për të ardhmen e Shqipërisë, që duhet të ndërgjegjësoje cilindo pushtet që qeveris vëndin. Shqipëria, për vetë kushtet ekonomiko-shoqërore, edhe për shumë vjet, do të ketë një përqëndrim të konsiderushëm të popullsisë në zonat rurale.
Me ardhjen e demokracisë, krahas emigrimit jashtë vëndit, banoret e ketyre zonave filluan të vërshojnë drejt zonave urbane, duke mbipopulluar qytetet, në kërkim të një jete më të mirë. Ky fenomen, jo vetëm që zhvendosi dhe përmbysi raportet e mëparshme, duke krijuar një baraspeshë të popullatës fshat-qytet, por aktualisht është krijuar një disekujlibër rapotesh, që ka nxjerrë në rend të ditës shqetësime të mëdha ekonomike dhe sociale. Aktualisht, popullata që jeton në zonat urbane, sot zë 54 përqind, ndërsa ajo rurale 46 përqind. Pamvaresisht nga shifrat, gjate kesaj periudhe eshte ndjekur nje politik nenvleftesuese duke harruar fshatin nga përkujdesja dhe investimet kapitale gje e cila uli interesin e banorëve te këtyre zonave që të rrisin mirëqënjen dhe kushtet e jetesës në fshatrat e tyre. Edhe në kohën e qeverisjes së të majtës, në vitet 2001-2005, kur unë kam qënë Ministër i Bujqësisë, buxheti për këtë sektor ka qënë i pamajftueshem, jo vetëm përsa i përket nevojave për ta ndryshuar, por edhe për vetë peshën dhe të ardhurat që i sillte ekonomisë së vëndit. Me një vështrim panoramik të zonave kodrinore-malore, nga veriu në jug, vërejmë me keqardhje, se ka mjaft fshatra që janë braktisur dhe kanë humbur identitetin e tyre, duke mbetur si pika gjeografike në hartën e rretheve. Kjo ka sjellë pasoja të dyfishta, jo vetëm për fshatrat e abandonuara, ku janë paralizuar shumë burime natyrore dhe resurse e pasuri të konsiderueshme, por në anën tjetër janë mbingarkuar qytetet jashtë kapaciteteve të tyre mbajtëse dhe kanë krijuar krizën e papunësisë, strehimit e shkollimit racional të tyre. Në këto 20 vjet, relativisht dora e shtetit ka munguar dhe fshati është cituar si sllogan politik kur i është dashur pushtetit të radhës, veçanërisht në fushatat elektorale për të siguruar votat, duke i mbushur me premtime boshe, apo duke bërë “ kozmetikë “ rrugësh apo rrugica të reja, sa për shou politikë. Situata në fshat, ka ardhur duke u keqësuar në aspektin infrastrukturor. Mjafton të kujtojmë, se në shumë fshatra kodrinore- malore u mbyllën shkollat, qëndrat spitalore, objektet social-kulturore,u largua personeli shëndetësor, dhe u paralizua gjithë jeta aktive e banorëve të këtrye zonave. Për rrjedhojë, një pjesë e këtyre banorëve u larguan të imponuar nga kushtet e tejkeqësuara social-kulturore. Përjashtuar investimet, që kanë bërë individët në emigracion, për të ndryshuar mënyrën e jetesës në familjet e tyre, shteti është mjaftuar me disa “ thërrime “ që kanë dhënë disa projekte ndërkombëtare, duke dashur të marrë meritat për vete.
Zhvillimi rural, së pari nënkupton zhvillimin nga i cili përfiton populli dhe ka një përmirësim të qëndrueshëm të standarteve të jetesës apo mirëqënjes së popullsisë. Së dyti, me zhvillimin rural kuptojmë transformimin strukturor të ekonomisë së karakterizuar nga diversifikimi i ekonomisë, në ekonomi jo-bujqësore. Sipas teorisë ekonomike të Lakroix, zhvillimi bujqësor në përgjithësi përpiqet të rrisë prodhimin bujqësor dhe produktivitetin dhe ka një natyrë teknike. Ndërsa zhvillimi rural, është i orientuar drejt përfitimit të shtresës së më të varfër dhe ka natyrë sociale. Në këtë kontekst, bujqësia i kushton rëndësi zhvillimit të kapitalit nga pikpamja ekonomike, ndërsa zhvillimi rural, i kushton rëndësi kapitalit njerëzor. Kuptimi i këtyre nocioneve ndër vite, ka evoluar duke u përfshirë në zhvillimin rural politika të diversifikimit te aktiviteteve ekonomike, manaxhimit dhe përmirësimit të mjedisit, ekosistemeve, burimeve natyrore, trashëgimise kulturore, peisazhit etj. Të gjitha këto cilësi, në funksion të një jetese më të mirë e më të shëndetshme. Parë në këtë sfond, zhvillimi rural dhe bujqësia në vëndin tonë ka një prapambetje primitive, ku nocioni fermer nuk e ka fituar qytetarinë e vetë. Bujqësia, duke mos dalë nga prapambetja, ende nuk është bërë një sektor prioritar i ekonomisë kombëtare, siç ndodh për shumë vënde në zhvillim, ku futet dhe Shqipëria. Partia Socialiste, në strategjinë e saj afatshkurtër dhe afat gjatë, zhvillimin rural dhe atë bujqësor e ka prioritet duke e konsideruar forcë lëvizëse të ekonomisë kombëtare. Për këtë qëllim, ajo ka studjuar me përparësi zonat rurale dhe bujqësinë, duke evidentuar mungesen e strategjive te zhvillimit, shkallën e prapambetjes, veçoritë e zonave, potencialet që mbartin, resurset ekologjike dhe tokësore, faktorin njerëzor dhe rezervat e brëndshme dhe të jashtme, që ende janë të fjetura dhe po të manaxhohen e përdoren me efektivitet, mund ti sjellin dobi jo vetëm zonave rurale por gjithë zhvillimit të vëndit. Bujqësia jonë, ka nevojë të rritet në gjithë spektrin e saj. Prodhimi ynë bujqësor, është akoma larg niveleve të rritjes, që kanë pasur vëndet e reja që ju shtuan BE-së në periudhën e aderimit, si Bullgaria, Rumania etj. Tregu i sotëm i përdorimit të tokës, tarifat e punimeve me mjete mekanike, çmimet e larta të inputeve bujqësore si plehra, pesticide, farna, kostua e ujitjes, mungesa e tregjeve, mosmbeshtetja e prodhimit vendas etj, e kanë bërë fermerin të pa interesuar për ta punuar e mobiluar tokën, si një burim mirëqënjeje e jetese. Në axhentën e qeverisë për bujqësinë, krahas sofizmave për një infrastrukturë financiare dixhitale, çuarjen e internetit në fshat, u dëgjua sinjali kohëve të fundit për krijimin e kooperativave bujqësore. Bujqësia pa kooperim nuk ka zhvillim. Kjo është thënë disa herë, por asgjë nuk është bërë në këto 20 vjet. Në vitet 2000, u krijuan disa embrione kooperimi si në Maminas të Durrësit, në Divjak, Karbunarë dhe Këmishtaj të Lushnjës etj, por ato nuk patën jetë të gjatë se nuk u mbështetën ne vazhdimesi nga shteti. Dihet se çdo gjë e re e çan rrugën e vetë me vështirësi. Në filozofinë tonë, ne socialistët nuk duam vetëm të mohojmë, por edhe të pohojmë, se si duhet të dilet nga ky kolaps zvarritës që ndodhet bujqësia në postkomunizëm. Të ashtuquajturat ferma bujqësore, në gjëndjen aktuale, me prodhim artizanal në kushte primitive, mesjetare, ku ende në shumicën e tyre punohet me qe dhe kuaj, pa asnjë perspektivë zhvillimi, kërkohet medoemos një revolucion, për transformimin e tyre në ekonomi rentable, të prodhimit të madh bujqësor. Kjo nuk arrihet me fishekzjarre propagandistike, por me një strategji të menduar e studjuar mirë nga qeveria dhe ministria përkatëse. Nuk mund të ketë Shqipëri të pasur, me bujqësi të prapambetur dhe fshat të varfër. Këtë sllogan, ne e mbështesim në investime kapitale për të krijuar kooperativa model prodhimi dhe konsumi, ekonomi të prodhimit të madh bujqësor, të mbështetura fuqimisht nga shteti. Synimi ynë është, të krijojmë politika të fuqishme për mbarështimin e blektorisë, për shtimin e numurit të krerëve dhe rritjen e prodhimtarisë së tyre. Ta bejme prodhimin vendas te konkurueshem që të mos ndodh si deri më sot, që mollët dhe qepët e fermerëve të Korçës, patatet e Kuksit, agrumet e bregdetit apo mishi vëndas, të groposen apo mbeten pa u shitur, se i mbyt prodhimi me stimulant që vjen nga Maqedonia dhe Greqia.
Shteti, me politikat e tija të zhvillimit ka një rol parësor në fuqizimin e ekonomisë dhe mirëqënjen e popullit të . Me vizionin tonë, me tërë kapacitetet materiale dhe njerëzore, ne do t’ia ndryshojmë fytyrën bujqësisë në veçanti dhe fshatit në tërësi. Ky është një zotim solemn dhe i qënësishëm, që na dallon nga paraardhësit tanë, para elektoratit të zonave rurale.
_*Ish-ministër i Bujqësisë_ (Shekulli Online)